Taksa 100 % po e ndihmon ekonominë e Maqedonisë

Vendosja e taksës 100% të Kosovës ndaj produkteve serbe, ka sjellë impakt pozitiv për tregun e Maqedonisë. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Nebi Hoxha, priti në takim kryetarin e Odës së Afarizmit të Kosovës Skenderi Krasniqi, me ç’rast u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes odave të të dyja shteteve.

Marketing

Në këtë takim Kryetari i OEMVP-së Hoxha theksoi se që kur Kosova ka vendosur taksën 100%, Maqedonia ka një rritje të eksportit të produkteve për 15%.

“Është një moment që duhet ta shfrytëzojmë, duke pasur parasysh se taksa 100% e Kosovës ndaj produkteve serbe, ndikon dhe ka mundësi që të ketë impakt pozitiv në prodhuesit e Maqedonisë. Në drejtim të Kosovës, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, këtë moment…Kemi një rritje në krahasim prej vitit 2017, dmth periudhën prej momentit që është vendosur taksa, kemi një rritje të të të njëjtës periudhë, diku 15 %”, deklaroi Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.

Kurse kryetari i OAK-së Skenderi Krasniqi, i bëri thirrje afaristëve të Maqedonisë që ta shfrytëzojnë këtë moment, pasi siç theksoi ai me çdo gjasë taksa 100% do të zgjasë, ndërsa shteti i Kosovës ka mungesë të produkteve në vlerë prej rreth 1 miliard eurove.

“Është një mundësi e artë edhe nga ana e juve edhe na ana e bizneseve, që të vijnë të investojnë në Kosovë. Vendosja e barrierës 100% me Serbin, e cila sipas gjitha gjasave do të vazhdoj, do të jetë shumë më e madhe. Është një mundësi që të vini dhe të investoni. Produktet që tash mungojnë janë në vlerë 1 miliardë euro, që mungojnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja”, deklaroi Skenderi Krasniqi, kryetar i OAK-së..

Ndërkaq, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi nga të dyja palët nënshkruese, ajo siç bëjnë të ditur do të kontribuojnë tek njëra tjetra në përkufizimin e procedurave dhe komunikimit për përcaktimin e mënyrave të bashkëpunimit, shkëmbimin e të dhënave dhe dokumentacionit që do të ndihmojnë në organizimet e përbashkëta promovuese, organizimin e panaireve, tryezave të rrumbullakëta, seminare, konferenca, planifikimin dhe organizimin e ngjarjeve të përbashkëta, shkëmbimin e të dhënave për përkrahje të biznesit, nxitjen e bashkëpunimin tregtar, lehtësim në përpilimin e dokumenteve të nevojshme për bashkëpunim ekonomik në importin edhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve si dhe krijimin e kushteve të volitshme e të bërit biznes.

Marketing