Taksa e rrugëve: Te ne vjedhje, në vendet fqinje zbritje për shoferët e rregullt

Maqedonia është ndër vendet rralla të Ballkanit, ku nuk aplikohet bileta mujore apo vjetore për pagesë të taksës rrugore. Kështu, shoferët të cilët udhëtojnë çdo ditë nga Tetova, Velesi, Kumanova, Gostivari dhe Gjevgjelia për në Shkup duhet të paguajnë çmime disa herë më të lartë për shfrytëzim të shërbimeve të rrugëve krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit. Në Bullgari, për shembull, vinjeta elektronike për një muaj kushton 940 denarë. Me atë vinjetë mund të udhëtohet me makinë në çdo rrugë në të gjithë vendin, pa numër të kufizuar brenda një muaji, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe nga Bullgaria, një qytetar i Gostivarit ose i Gjevgjelisë, gjatë muajit, duhet të shpenzojë shumë disa herë më të lartë për taksë rrugore. “Meta” bëri një përllogaritje për shumën e mjeteve që qytetarët e Maqedonisë duhet të ndajnë, nëse duhet çdo ditë të udhëtojnë me makinë për në Shkup. Kështu, në qoftë se bëhet përllogaritja e ditëve të punës në qershor 2019, qytetarët e Gostivarit do të duhet të shpenzojnë shumë marramendëse prej 5.320 denarësh për taksë rrugore për makinën e tyre.

Ata nga Gjevgjelia duhet të ndajnë deri në 6.840 denarë, ndërsa taksat rrugore në ditët e punës në qershor, në mes të Shkupit dhe Velesit, do të kushtonin 4.560 denarë për një veturë.

Këto çmime janë më të larta se në vendet fqinje – Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Kosova aktualisht s’ka filluar me pagesë, edhe pse ka dy autostrada – “Ibrahim Rugova” për në Shqipëri dhe “Arben Xhaferi” për në Maqedoni. Siç është theksuar në analizën e “Portalb”, qytetarët e Kosovës paguajnë një taksë rrugore në shumë prej 2,460 denarë në vit, në momentin e regjistrimit të automjeteve.

Në Shqipërinë fqinje, taksë paguhet në autostradën e gjatë 110 km në drejtim të Kosovës. Shuma e saj është 300 denarë, por me zbritje të mëdha që aplikohen për popullatën lokale e cila jeton afër autostradës dhe për shoferët që përdorin rregullisht këtë seksion.
Kështu, çmimi në një drejtim për popullatën lokale është 80 euro cent, ose një qytetar i Kukësit me makinën e tij do të paguajë 1.840 denarë në muaj për të shfrytëzuar autostradën për në Tiranë. Për shoferët e rregullt aplikohenzbritje 10% për ato të cilën e shfrytëzojnë autostradën 20 deri në 30 herë në muaj, me ç’rast zbritjet arrijnë edhe deri në 40% të çmimit të rregullt për më shumë për 60 kalime në këtë autostradë në muaj.

Çmimi i taksës rrugore Serbinë fqinjë është më i ulët se në vendin tonë. Sikurse në Maqedoninë e Veriut, shërbimi për shfrytëzim të autostradës paguhet për kilometër. Nga Smedereva në Beograd, që ka distancë identike të autostradës mes Shkupit dhe Gostivarit, paguhen 200 denarë për udhëtim në dy drejtime me makinë. Për krahasim, taksat rrugore midis Shkupit dhe Gostivarit kushtojnë 280 denarë. Qytetarët të cilët do të udhëtonin çdo ditë në qershor mes Smederevës dhe Beogradit, për taksë rrugore do të paguanin 3.800 denarë, gjegjësisht 1.520 denarë më pak se shoferët, të cilët në qershor çdo ditë do të shkojnë në punë me makinë nga Gostivari në Shkup.

Ndryshe nga Maqedonia, në Serbinë fqinje mund të blihet biletë mujore dhe vjetore për taksë rrugore. Çmimi për një muaj përllogaritet duke e shumëzuar koston e taksës për një relacion të caktuar me 40, ndërsa çmimi vjetor i biletës fitohet duke e shumëzuar taksën rrugore mes dy qyteteve me 400. Kështu, popullata lokale ka mundësi për të udhëtuar me çmime edhe më të ulëta.

Dhe në fund, taksat rrugore në Greqi janë më të shtrenjtë për shoferët që i shfrytëzojnë rrugët atje. Në autostradën e gjatë 150 km, ndërmjet Selanikut dhe Larisës, paguhen 486 denarë për makinë në një drejtim, gjegjësisht për dy herë e gjysmë krahasuar me autostradën këtu në mes të Shkupit dhe Gjevgjeli. Megjithatë, për popullatën lokale e cila udhëton çdo ditë janë siguruar zbritje të mëdha.

Ashtu që, nëse jeni qytetar i Katerini dhe gjatë muajit qershor duhet të udhëtoni për të punuar në Selanik me makinën tuaj, atëherë për taksa rrugore do të paguani vetëm 2.860 denarë në muaj. Autostrada mes dy qyteteve është 70 km e gjatë, pra është distanca e njëjtë si ajo midis Shkupit dhe Gostivarit. Megjithatë, qytetarët e këtyre dy qyteteve të Maqedonisë në qershor do të duhet të paguajnë taksë rrugore pothuajse dy herë më të lartë për makinën e tyre në krahasim me ato nga Greqia.