Talibanët nuk synojnë “të pushtojnë gjithë Afganistanin”

Një zyrtar taliban që ka marrë pjesë në negociatat me Shtetet e Bashkuara për arritje të paqes në Afganistan, i ka thënë BBC-së, se kryengritësit nuk dëshirojnë të pushtojnë “gjithë shtetin përmes fuqisë ushtarake”.

Marketing

“Kjo gjë nuk do të sjellë paqe në Afganistan”, ka thënë Sher Mohammad Abbas Stanikzai.

Megjithatë, ai ka thënë se ky grup nuk do të pajtohet për armëpushim derisa forcat e huaja të tërhiqen nga Afganistani.

Të dhënat e Kombeve të Bashkuara kanë treguar se talibanët janë përgjegjës për shumicën e viktimave civile në Afganistan, në krahasim me të gjitha grupet tjera aktive.

Stanikzai, që aktualisht ka udhëhequr palën e talibanëve në bisedimet në Katar, ka thënë se përvoja e talibanëve në pushtet në vitet 1990-ta, i ka bindur pjesëtarët e grupit, që të kërkojnë zgjidhje përmes “negociatave në tavolinë”.

“Paqja është më e vështirë se lufta”, ka thënë Stanikzai, duke përmendur vështirësitë në arritjen e marrëveshjes, mirëpo ka treguar edhe shpresa se ky proces do të përmbyllet me sukes.

Në muajin janar, palët negociuese për paqe në Afganistan janë pajtuar për një “dokument udhëzues” që çon drejt arritjes së marrëveshjes.

Ajo është bazuar në zotimin për tërheqje të trupave amerikane nga Afganistani si dhe në garancinë e talibanëve, të cilët kanë premtuar se nuk do të lejojnë grupet xhihadiste ndërkombëtare që të përdorin Afganistanin si bazë për konflikte në të ardhmen.

Të dyja palët kanë treguar se në tavolinë vazhdojnë të jenë një varg çështjesh për diskutim, megjithatë presidenti amerikan, Donald Trump, e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’i dhënë fund konfliktit 17 vjeçar.

Talibanët kanë udhëhequr Afganistanin në periudhën 1996-2001 me një rrymë konservative dhe ku shpesh ligji islamik është thënë të jetë interpretuar në mënyrë brutale. /REL