‘Talir’ rikthehet në gjykatë, zyrtarët e VMRO-së në bankën e të akuzuarve

Gjykata Penale në Shkup i dha dritë të gjebërt PSP-së për rastin “Talir”, dhe së shpejti do të caktohet edhe seanca e parë gjyqësore duke sjellë kështu në bankën e të akuzuarve ish funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së.

Marketing

Në rastin “Talir”, hetohet financimi i paligjshëm i VMRO-DPMNE, përmes pagesave në xhirrollogarinë partiake, si dhe ndërtimi i paligjshëm të selisë opozitare.

PSP ka ngritur dy aktakuza për rastin Talir. Elizabeta Cingaroska , që në cilësinë e kryetares së Komisionit për letra me vlerë ka aprovuar pagesën pa deklarim të personit që donon për partinë, ka pranuar tashmë fajësinë dhe në këmbim është dënuar dy vite me kusht, nëse në 5 vitet e ardhëshme nuk kryen vepër të re penale. Bashkë me Cingarovskën, në padinë e parë akuzohet edhe ish kryeministri Gruevski që gjykohet në mungesë për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe për pastrim parash.

Nën akuzë janë edhe Mile Janakieski, Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski, si dhe subjekti juridik VMRO-DPMNE.

Në aktakuzën e dytë, e cila i referohet ndërtimit të selisë së VMRO-DPMNE-së, akuzohen sërish Nikolla Gruevski dhe Kiril Bozhinovski, të cilët dyshohen se duke keqpërdorur pozitën zyrtare, i kanë mundësuar ndërmarrjes Beton nga Shkupi të ndërtojë selinë e partisë, edhe përkundër faktit se ky subjekt juridik ndërkohë kishte nënshkruar edhe marrëveshje të tjera për furnizime publike me organe shtetërore, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për partitë politike, ligjin për financimin e partive politike dhe ligjin për marrëdhënie obligative.

Në këtë mënyrë, në kundërshtim me legjislacionin, të pandehurit fituan pronë për partinë politike VMRO-DPMNE, në vlerë prej 8 milion e 246 mijë e 576 eurove.
PSP tashmë ka ngrirë pasuritë e VMRO-DPMNE-së, përkatësisht selinë e saj dhe 68 objekte të tjera.

Marketing