Zonja Taseva, pas serisë së skandaleve të shpërndarjes së parave shtetërore ku kanë aplikuar edhe kompani lidhur me funksionarë të lartë, nuk pamë asnjë përgjegjësi morale. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Taseva: Nuk e mësuam çështjen e parë dhe bazë që ekziston dhe që është e paprekshme, janë morali dhe përgjegjësia, si dhe integriteti. Përgjegjësia morale është një akt për të cilën nuk bisedohet, që del nga ndërgjegja e bartësit të funksionit, të politikanit, të njeriut. Por, politikanët te ne, vlerësojnë se ata janë të paprekshëm, se ne të gjithë ekzistojmë për ata dhe se nuk duhet të pyesim apo të kërkojmë asnjë lloj përgjegjësie, ata duhet të jenë moralisht të përgjegjshëm para familjeve të tyre, edhe më shumë duhet të jenë moralisht të përgjegjshëm para publikut, nëse janë në funksion të tillë. Është dashur të ndodhin çdo ditë nga një ose më shumë dorëheqje, si akt moral. Tani në kushte kur ka referendum, kur qytetarët edhe ashtu janë në dilemë si të mendojnë, shpesh kur të flasim mbi këtë temë, apo unë kur flas mbi këtë temë, tërheqin vërejtjen se për këtë nuk duhet folur para referendumit. Mendoj se duhet dhe se jo rastësisht është rënia, sipas anketave, të besimit të qytetarëve në qeverinë sepse të gjitha aferat që tani ndodhën, në fakt flasin për atë nëse duhet të ketë… ose i parashtrojnë çështjet e besimit ndaj kësaj qeverie. Mendoj se këtu është dashur të jenë më rigoroz. Është dashur të insistohej më shumë, në ndërrime, dorëheqje, parime, qeverisje të mirë, që të mundemi të kemi besim në atë që do të ndodhë në të ardhmen.

Kryeministri Zaev i pyetur për këtë problem, u përgjigj se nuk do të kërkojë dorëheqje nga funksionarët që lidhen me këtë, posaçërisht jo nga zv/kryeministri Koço Angjushev, sepse siç tha nëse e bën atë, nuk do të ketë me kë të punojë.

Taseva: Do të thosha është një deklaratë e pafat, nga njeriu i parë i qeverisë, sepse askund nuk ka të pazëvendësueshëm. Gjithandej duhet të ketë kapacitet që shteti të vazhdojë më tej të funksionojë dhe Qeveria të mund më tej të funksionojë. Është për të ardhur keq nëse ajo Qeveri apo ai shtet thotë se këto njerëz që kanë moral të dyshimtë, integritet të dyshimtë, janë të vetmit në të cilët duhet të llogarisim nëse duam të shkojmë përpara. Me shembuj të tillë ne vetëm tregojmë se aspak nuk mendojmë të shoqërohemi me vlerat që janë thelbësore, vlera fundamentale të çfarëdo demokracie.

Zonja Taseva, sipas jush në këto raste a ka pasur korrupsion edhe krahas asaj që pushteti pohon se nuk është shkelur ligji?

Taseva: Definicioni i korrupsionit do të thotë nëse e vendos veten apo dikë të afërt në përparësi ndaj të tjerëve. Korrupsioni do të thotë mospasje të kushteve për konkurrencë, qasje të barabartë në atë në të cilën dikush duhet sipas rregullave të garojë dhe të tregojë se është më i mirë. Këtu nuk do të thotë se duhet menjëherë të ketë korrupsion të qartë nga aspekti i të drejtës penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare. Konflikti i interesave gjithashtu është sjellje korruptive. Edhe njohuritë paraprake të rregullave të ndonjë tenderi është korrupsion. Këtu bëhet fjalë për tregti me ndikime. Prandaj ne nuk duhet aspak të debatojmë nëse diçka është ligjore ose joligjore. Korrupsioni është shumë i gjerë, ndërsa ne nuk duhet të lejojmë asnjë dyshim për sjellje të korruptuar në këtë dhe në të gjithë qeveritë e ardhshme. Nëse me të vërtetë synojmë pranimin e parimeve të BE-së dhe NATO-s.(ALSAT-M)