Të hënën greva në Arsim, por ministria nuk tërhiqet

Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) të hënën ka bërë thirrje për grevë. Ajo do të jetë paralajmëruese, ashtu që mësimdhënësit do të shkojnë në punë, por nuk do të japin mësim.

Marketing

Kryetari i SASHK, Joakim Nedelkov thotë se ende janë të hapur për dialog dhe për gjetjen e një zgjidhje, në të kundërtën nuk do të heqin dorë nga greva.

“Greva të hënën më 2 shtator është paralajmëruese dhe do të zgjasë një ditë. I lëmë hapësirë dialogut social dhe partneritetit, që deri në fund të shtatorit të gjejmë mënyrë dhe mundësi se sa të rriten rrogat në fushën e arsimit”, theksoi Nedelkov.

SASHK kërkon rritjen e rrogave për 25 për qind për të gjithë punonjësit e arsimit.

Por nga ana tjetër, Ministria e Arsimit është larg kompromisit pasi që nuk pranon kërkesat e sindikatës, duke theksuar se greva organizohet në kushte kur nuk ka zgjidhje. Nga kjo ministri kanë theksuar se mësimi fillon me 2 shtator dhe se nxënësit duhet të shkojnë në shkollat e tyre.