Të mërkurën fillon vaksinimi anti-Covid-19! Shabani: Efektet anësore janë minimale

Të mërkurën nis vaksinimi anti-Covid në spitalin modular në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Të parët që do të vaksinohen janë personeli mjekësor, i cili punon në Klinikën Infektive. Agjencia për barna dhe pajisje mjekësore “MALMED” ka përgatitur udhëzues me rekomandime për vaksinën Pfizer i cili përbëhet nga 40 faqe. Drejtori i agjencisë Lirim Shabani deklaron se të gjitha procedurat administrative mbi vaksinën kundër koronës Pfizer pritet të përfundojnë deri nesër, me çka pasnesër punonjësit shëndetësor të trajnuar paraprakisht mund të nisin me aplikim.

Marketing

“Në udhëzues janë të parapara rregullat se si duhet të ruhet vaksina, në udhëzues janë të parapara rregullat për punëtorët shëndetësor, të cilët do të punojnë me atë vaksinë, se si duhet të përzihen vaksinat, si duhet të merret dozimi. Sa për informacion kjo vaksinë nuk është një dozëshe, kemi ato vialat ose shishet e vogla në të cilat ka disa doza. Në udhëzues janë të përshkruara detajisht të gjitha informacionet, të cilat duhet t’i dinë punëtoret shëndetësor deri në aplikimin final”, u shpreh për TV21, Lirim Shabani – Agjencia e Barnave “Malmed”.

Efektet anësore janë shumë të rralla kur mund të paraqitet alergji thotë Shabani, sipas së cilit këto raste janë minore dhe të papërfillshme.

“Në rastin konkret, vaksina e cila është duke u aplikuar me miliona të tilla në tërë botën, raportimi për efekte anësore është aq minor gati se i papërfillshëm. Në raste shumë të rralla mund të paraqiten alergji nga substance të cilat i përmban vetë vaksina e prej të cilave personi në fjalë mund të jetë alergjik në disa prej tyre. Po përsëris, deri më tani nga miliona vaksina të aplikuara, rastet për efektet anësore janë minore dhe të papërfillshme”, tha për TV21, Lirim Shabani – Agjencia e Barnave “Malmed”.

Në pyetjen se përse u vonuan vaksinat nga Serbia, Shabani thotë se kjo ndodhi për shkak se prodhuesi i Pfizer nuk lejon që vaksinat të shiten ose të kalojnë nga një shtet në një shtet tjetër. Pfizer bëri përjashtim dhe na lejoi që nga Serbia të marrim vaksinat anti-covid.

Përndryshe vaksinat aktualisht po ruhen në frigoriferë special me temperatura në minus 80 gradë celsius. Pasi të largohen nga frigoriferi ato nuk guxojnë të kthehen serish dhe vaksinimi duhet të kryhet brenda tetë orëve, tha drejtori i Agjencisë së barnave. Ndërkaq, imunizimi në vendin tonë po fillon me 4680 vaksinat e kompanisë “Pfizer” të cilat Maqedonia e Veriut i pranoi dje nga Serbia si donacion. Deri në fund të muajit shkurt, është paralajmëruar edhe arritja e vaksinave kineze, për të cilat drejtori i “MALMED” Shabani tha se po vonohen për shkak të festave në Kinë.

Marketing