Të premten pritet të mbahet mbledhja e trupit koordinues për pajtim dhe integrim

Takimi i parë i trupit koordinues për pajtimin dhe integrimin ka gjasa të mbahet të premten.Gjatë këtij takimi pritet të diskutohen detajet e propozimit të ri për amnisti të personave të cilët nuk kanë ushtruar dhunë me 27 prill, por gjithashtu duhet të caktohet edhe metodologjia për punën e këtij organi.

Kurse nga grupi parlamentar i pavarur i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit thonë se do të angazhohen edhe në reformat, në pako me ndryshimet kushtetuese, si pjesë e prioriteteve për pajtim dhe integrim.

Zyrtarisht ende nuk është caktuar saktë se kur do të mbahet takimi për shkak se njëra nga koordinueset, Frosina Remenska pritet të kthehet nga udhëtimi zyrtar në Kabul. Ky takim paraqet mbledhjen e parë të Trupit koordinues për Pajtim dhe Integrim.

Ndryshe, deputetet Frosina Remenski dhe Emilija Aleksandrova janë koordinuese të Trupit parlamentar ndër-partiak për pajtim dhe integrim.