Te Shkëndija e Tetovës të gjithë bëjnë testet, asnjë pozitiv me COVID-19

Shkëndija e Tetovës me në krye trajnerin kryeqytetas Ernest Gjoka i cili është konfirmuar edhe për sezonin e ardhshëm, prej disa ditësh ka nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe sidomos për pjesëmarrjen në kualifikueset e Europa League.

Marketing

Kuqezinjtë kanë programuar edhe disa sfida miqësore por duke parë që COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka filluar të përhapet në masë gjatë javëve të fundit, Federata e Futbollit nuk lejon asnjë miqësore nëse stafet teknike dhe futbollistët e të gjitha skuadrave nuk u nënshtrohen testeve për të vërtetuar nëse janë negativ ndaj koronavirusit.

Për këtë arsye te Shkëndija kanë kryer tamponët ditën e martë dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Vetë Shkëndija e Tetovës e ka konfirmuar diçka të tillë përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare: “Shkëndija i ka dhënë fund qëndrimit një javorë në Mavrovë dhe pas një dite të lirë, futbollistët nga e marta kanë vazhduar seancat stërvitore në Tetovë.

Duke ndjekur rekomandimet e protokollit shëndetësorë të FFM-së për zhvillim të stërvitjeve dhe ndeshjeve, komplet skuadra kuqezi, stafi teknik dhe të punësuarit në klub, u janë nënshtruar testeve për COVID-19.

Për fat të mirë rezultatet janë negative, kështu që ekipi me formacion të plotë mund të vijojë aktivitetet e parapara për periudhën që pason”.

Marketing