Të shtunën, seanca e Kuvendit për votimin e qeverisë

Kreu i LSDM-së, njëherë edhe mandatar për kryeministër, Zoran Zaev dorëzoi në Kuvend propozimin për Qeverinë e re, prioritet e së cilës siç paralajmëroi ai, do të jenë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, pastrimi i gjyqësorit, ekonomia, shëndetësia, arsimi, ambienti jetësor, marrëdhëniet fqinjësore dhe anëtarësimi në BE. Pret që Qeveria e re nga java e ardhshme të nis me punë për, siç theksoi, evropianizimin e vendit.

Marketing

Pres nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi t’iu jep kohë të mjaftueshme deputetëve që të njoftohen me propozim-programin dhe biografitë e kandidatëve të propozuar. Presim debat cilësor në Kuvend dhe presim që propozimet të marrin shumicën e nevojshme, pas çka nga java e ardhshme Maqedonia e Veriut dhe qytetarët do ta kenë Qeverinë e re, të përkushtuar në realizimin e programit”-tha Zoran Zaev, mandatar për kryeministër.

Seanca parlamentare për votimin e Qeverisë së re është caktuar për të shtunën kurse debati në Kuvend mund të zgjasë më së shumti dy ditë. Partnerët e koalicionit qeveritar, LSDM dhe koalicioni “Mundemi”, BDI-ja dhe PDSH-ja janë marrë vesh që Qeverinë e re ta udhëheqë Zaev për mandat prej 4 vitesh, ndërsa në 100 e fundit kreun e ekzekutivit ta propozojë BDI-ja. Për dallim nga Qeveria e mëparshme me 26 ministra, Qeveria e re do të ketë 19 ministra. 11 ministra do të ketë LSDM-ja, 6 BDI-ja dhe nga 1 ministër do të kenë Lëvizja Besa dhe Partia liberal-demokrate. Mandatari, Zaev tha poashtu se partnerët e koalicionit janë marrë vesh tashmë për rreth 90% të zëvendës-ministrave të ardhshëm.

Deputetët-ministra të ardhshëm tashmë kanë dhanë dorëheqje nga funksioni i tyre në legjislativ dhe vendin e tyre e zunë deputetë të tjerë nga listat e kandidatëve në zgjedhje.

Sipas dispozitave ligjore, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, Qeverinë e zgjedh Kuvendi me votën e shumicës së deputetëve në Kuvend. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, BDI dhe PDSH gjithsej kanë 62 deputetë.

Marketing