“Teknologjia sjell pasoja të rënda tek sytë”, Mjekët apelojnë: Fëmijët sa më larg telefonave

Numri i fëmijëve të cilët po kanë problem me shikimin po rritet çdo ditë e më shumë. E këtë po e shkakton përdorimi i tepërt i pajisjeve teknologjike. Prindërit nuk duhet që për të “rehatuar” fëmijën e tyre, të përdorin telefonin ose mjete teknologjike, thotë psikologia Hatixhe Sefa. Sipas saj kjo ndikon shumë negativisht në zhvillimin e tyre psiko-fizik.

Marketing

“Tani që nga moshat e hershme fëmijët dinë të përdorin shumë mirë mjetet e teknologjisë kjo tregon se ato me orë më të gjata i mbajnë fëmijët e tyre pranë aparaturave teknologjike. Kjo ndikon shumë negativisht në zhvillimin e tyre psiko-fizik. Prandaj ne këshillojmë dhe ju rekomandojmë prindërve që mos i ekspozojnë aq shumë fëmijët e tyre. Shpesh herë ndodhin çrregullime të ndryshme si ato psikologjike përpos asaj që ishin fizike të syve”, deklaroi Hatixhe Sefa, psikologe.

Oftalmologu Ilir Osmani thotë retina e syrit tek fëmijët është më e ndjeshme, ndërsa sipas tij telefonat përmbajnë rrezatime të cilat dëmtojnë të pamurit.

“Ekspozimi i gjatë i tyre mund të vjen deri tek dobësimi i tyre apo dëmtimi i pjesës fotosenzitive të retinës dhe në moshë të shtyrë mund të vjen edhe deri tek dobësimi i të pamurit ,sigurisht fëmijët janë më të ndjeshëm edhe retina e tyre dhe syri dhe ekspozimi i tyre nëpër këto aparatura të teknologjisë tani të jetë sa më i shkurt”, tha Ilir Osmani, Oftalmolog.

Ndryshe mbi një miliard njerëz në gjithë botën jetojnë me shikim të dëmtuar, sepse nuk marrin kujdesin e nevojshëm, vlerëson raporti i parë për këtë çështje, i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas raportit, në total janë së paku 2.2 miliardë njerëz që kanë probleme me shikimin ose janë të verbër.

Marketing