Telefonata Trump-Trudeau, gafa: A nuk e dogji Kanadaja Shtëpinë e Bardhë?

Të ngjallë polemika duket se është pjesë e karakterit të tij.

Marketing

Në telefonatën e tensionuar me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, mbi tarifat e reja të vendosura nga administrata amerikane, Donald Trump përdori një argument, të cilin duket se e konsideronte referencë historike, por që faktikisht ishte i gabuar.

I pyetur me ngulm nga Trudeau sesi mund të justifikohen këto tarifa me cënimin e sigurisë kombëtare, Trump iu përgjigj: Po mirë, a nuk ishit ju djema ata që dogjët Shtëpinë e Bardhë?

Presidenti kishte në mendje luftën e vitit 1812. Problemi është se, Shtëpinë e Bardhë asokohe e dogjën trupat e Britanisë në formë shpagimi ndaj një sulmi amerikan në York të Ontarios, territor kanadez që asokohe ishte koloni britanike.

Trudeau e ka denoncuar publikisht si “ofendues dhe të papranueshëm” justifikimin e sigurisë kombëtare për vendosjen e tarifave të reja, që e kanë vendosur Amerikën në kurs përplasjeje me shumë partnerë tregtarë.

Meksika iu përgjigj nismës polemizuese të Trumpit me një valë tarifash që mbërrijnë vlerën 3 miliardë dollarëve, e që do të prekin një sërë mallrash amerikane në tregjet e saj. Produktet e prekura përfshijnë mishin e derrit, patatet, uiskin, si dhe disa lloje të ndryshme djathrash.