Temperatura tropikale – fazë e verdhë alerte deri të enjten

Territori i Maqedonisë së Veriut këtë javë është përfshirë nga vala e ngrohtë me temperatura të fazës së verdhë (alerte). Sipas informacioneve të Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, sot dhe nesër temperaturat maksimale në shumë vende do të tejkalojnë edhe 35 gradë Celsius. Pritet temperaturat nesër të arrijnë 40 gradë. Indeksi UV do të arrijë 9.

Marketing

Lagështia e rritur e ajrit do të kontribuojë të ketë ndjenjë se temperaturat janë më të larta se sa që janë matur. Prej nesër deri të premten në orët e pasdites do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima.

Nga Ministria e Shëndetësisë apelojnë qytetarët t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, përkatësisht të mbrohen nga ekspozimi direkt në diell, të shmangin qëndrimet në vende të hapura në periudhën nga ora 11 deri në orën 17:00, të mbajnë veshëmbathje të ndritshme dhe të lehtë, ndërsa gjatë ekspozimit direkt në diell të mbajnë kapelë dhe syza mbrojtëse, (ngjyrat e ndritshme e reflektojnë dritën), të konsumojnë ushqim të lehtë dhe pije, veçanërisht të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, të shmangin produkte të papërpunuara termike, për shembull majonezë nga vezët, me kujdes të konsumojnë akullore dhe kremëra të ndryshëm, të konsumojnë sasi më të madhe të pijeve, më së miri ujë i zakonshëm për pije, t’i shmangin pijet alkoolike, ndërsa gjatë hyrjes në automjet duhet një periudhë të caktuar ta ajrosin.

Gjatë ditëve të tilla ekstreme, potencojnë nga Ministria, qytetarët duhet të mbesin në hapësira të mbyllura (para se gjithash me ajër të kondicionuar), gjatë qëndrimit të domosdoshëm në hapësirë të hapur në këtë periudhë, të gjejnë mundësi për pushime të shpeshta nën hije, ndërsa personat e sëmurë kronik rregullisht ta marrin terapinë e shënuar.