Tensionet në rripin e Gazës, Netanyahu anulon turin amerikano-latin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka anuluar një udhëtim për në Amerikën e Jugut, të planifikuar për në fillim të javës së ardhshme.

Shkak për këtë vendim është bërë situata aspak e qëndrueshme në Rripin e Gazës dhe planifikimi i një takimi për të ndërmjetësuar një armëpushim afatgjatë.

“Netanyahu do të thërrasë kabinetin e tij të sigurisë të dielën, për të diskutuar një marrëveshje në zhvillim, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Egjipti, për paqen afatgjatë në Gaza”, tha një burim i qeverisë izraelite.

Javët e fundit tensionet në Rripin e Gazës janë rritur ndjeshëm, veçanërisht që pas momentin kur Shtetet e Bashkuara njohën Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosën atje ambasadën e tyre.

Aktualisht Kombet e Bashkuara kanë caktuar një negociator të posaçëm, që është Nickolay Mladenov, për të negociuar një paqe afatgjatë në Rripin e Gazës.

Bisedimet po mbahen në Kajro, me ndërmjetësimin e Egjiptit, ndërsa Mladenov është shprehur optimist se një marrëveshje paqeje është duke u gatuar tashmë.

“Djalli fshihet gjithmonë në detaje, por ne jemi duke punuar në interes të paqes”, tha Mladenov nga Kajro.