Terapi e shtrenjtë për pacientët me glaukomë

Glaukoma (ose tension i syrit), llogaritet si shkaku i dytë më i zakonshëm për verbërinë. Maqedonia në rang botëror ka 2-3 për qind të popullatës me sëmundjen e glaukomës. Prandaj, qendrat shëndetësore, për disa vite me radhë kanë hapur fushata “Java e glaukomës”, gjatë së cilës, në të gjitha qytetet e Maqedonisë, bëhet matja e tensionit të syve.

Marketing

Iljaz Ismaili, oftamolog në Klinikën e sëmundjeve të syve në Shkup, për gazetën KOHA informon se janë marrë masa që të evidentohen rastet e reja me glaukomë, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për rrezikun nga sëmundja. Sipas tij glaukoma është një sëmundje shumë tinëzare, që në fillim thuajse fillon pa asnjë simptomë, përveç tipit të glaukomës akute,dhe dhimbjet janë shumë të mëdha.

“Nga kjo sëmundje nuk është e mbrojtur asnjë gjeneratë dhe më tepër janë të rrezikuar qytetarët, që në familjet e tyre kanë pasur bashkëfamiljarë të prekur me këtë sëmundje, që është predisponim gjenetik”, thotë dr.Ismaili.

Nga shoqata e Oftamologëve thonë se kanë kërkuar që disa barna, për shkak të çmimeve të larta, që përballen pacientët me këtë sëmundje, të përfshihen në listën pozitive, por kjo nuk është arritur deri më tani.

Pacientët e prekur nga kjo sëmundje paguajnë nga xhepi i tyre për terapitë më të fundit, ndërsa me recetë mund të marrin vetëm një grup të ilaçeve, të cilat janë më të vjetra. Ata kanë kërkuar disa herë nga Fondi Shëndetësor që në listën pozitive t’i përfshijë terapitë më të fundit, por deri më tani nuk kanë pasur hapa konkrete.

Në klinikën e syve, por edhe në përgjithësi në qendrat e tjera shëndetësore të Maqedonisë, është arritur të futen impiante më të reja, për uljen e tensionit në sy, njëkohësisht metodën me laser dhe përdorimi i metodës klasike. Kurse, fillimi i shërimit të glaukomës është me terapi me pika.

Në nivel botëror 1 deri 2 për qind e popullatës vuajnë nga kjo sëmundje. Deri në vitin 2020 pritet që numri i të prekurve nga kjo sëmundje të rritet në 11.2 milionë njerëz. (koha.mk)

Marketing