Tërhiqet Mattis, del në pension

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis do të largohet nga posti që mban në muajin shkurt, sipas një njoftimi të Presidentit Donald Trump.

Marketing

“Gjenerali Jim Mattis do të dalë në pension, me nder, në fund të muajit shkurt, pasi ka shërbyer në administratën time si Sekretar i Mbrojtjes për dy vitet e shkuara”, njoftoi Trump në Twitter.

“Gjatë kohës që shërbeu, u arrit përparim i jashtëzakonshëm, veçanërisht për sa i përket blerjes së pajisjeve të reja luftarake. Gjenerali Mattis ka qënë një ndihmesë e madhe për mua për t’i bërë aleatët dhe vendet e tjera të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve të mbrojtjes. Sekretari i ri i Mbrojtjes do të emërohet së shpejti. Një falenderim i madh për Jim-in për shërbimin e tij”, shton Trump në postimin e tij.

Lajmi për largimin e Mattis vjen një ditë pasi Presidenti Trump njoftoi se trupat amerikane do të largohen nga Siria, një vendim që Pentagoni e ka kundërshtuar.

Ndërsa Trump tha se Mattis po del në pension, vetë sekretari, në një letër dërguar Presidentit, lë të kuptohet se ai po dorëhiqet.

“Sepse ju keni të drejtë të keni një Sekretar Shteti, pikëpamjet e të cilit të jenë më të përputhura me tuajat, për këto dhe çështje të tjera, besoj se do të ishte më mirë për mua të tërhiqem nga posti që mbaj”, i shkruan ai Presidentit Trump.

Marketing