Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu njoftoi se si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 22 persona, prej të cilëve 18 në Elazığ dhe 4 në rajonin Doğanyol në Malatya.
Ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum dhanë deklarata në Qendrën e krizave pas ekzaminimeve të kryera në rajon pas tërmetit me magnitudë 6.8 ballë në qytetin Elazığ.

“Që nga ky moment si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 22 persona, prej të cilëve 18 në Elazığ dhe 4 në rajonin Doğanyol në Malatya”, tha Soylu.

Më tej Soylu sqaroi se me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan menjëherë pas tërmetit në Elazığ kanë hedhur hapat e nevojshëm sipas Planit të Ndërhyrjes ndaj Katastrofave dhe në koordinim me të gjitha institucionet dhe organizmat përkatës dhe se ata vazhdimisht janë përpjekur të japin informacione për opinionin publik.

Pas tërmetit që ndodhi mbrëmë në orën 20:55 sipas kohës lokale në Elazığ, janë shënuar edhe 398 pas goditje nga të cilët 13 prej tyre mbi 4 ballë dhe njëri 5.4 ballë, njoftoi Soylu duke theksuar se që nga momenti i parë i tërmetit kanë shpëtuar të gjallë nga rrënojat 39 persona.

Nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi mbrëmë pjesën lindore të Turqisë humbën jetën 22 persona ndërsa mbi 1.000 të tjerë janë plagosur.