Termocentrali i Osllomesë ndërpret përkohësisht punën

Për shkak të një defekti në sistemin e prodhimit, tymi dhe hiri i Termocentralit të Osllomesë sot mbuloi fshatrat e pjesës veriore të Kërçovës….
Kjo ndotje me përmasa enorme që përfshiu edhe pjesët tjera të kësaj komune, u ndërpre aty rreth orës 13:00. Banorët në protesta kërkojnë të ndërpritet urgjentisht puna dhe drejtuesit e termocentralit e ndërprenë përkohësisht punën.

Marketing

Banorët e fshatrave të ish komunës së Osllomesë sot u gdhinë me tymin dhe hirin e dendur të oxhakut të termo-elektranës së Osllomesë. Të tmerruar nga ajo çka po ndodhte, banorët e fshatrave që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike u mblodhën menjëherë për të shfaqur shqetësimet e tyre për këtë ndotje të përmasave të mëdha dhe me pasoja të rënda shëndetësore për popullatën vendore.

Sipas ekspertëve, tymi dhe hiri i pakontrolluar që mbuloi sot nënqiellin e fshatrave të kësaj zone, janë shkaktuar nga defekti në sistemin e bartjes së hirit në formë të lëngët, por pas intervenimit të ekipeve të specializuara, aty rreth orës 13:00, defekti është mënjanuar dhe është ndërprerë ndotja e jashtëzakonshme e cila përfshiu edhe qytetin e Kërçovës dhe vendbanimet tjera të kësaj komune.

Por, për shkak të rrezikut nga shfaqja e sërishme e defekteve të ngjashme që shkaktojnë ndotje me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e banorëve vendorë, stafi drejtues i Termocentralit ka vendosur që të ndërpresë përkohësisht procesin e punës, i cili filloi para disa ditësh, pas një pauze të gjatë të veprimit.

Marketing