Testi PCR për shtetasit e Kosovës, reagoi ministri i Shëndetësisë së Kosovës

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kthimin e masave për hyrje të shtetasve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Zemaj vendimin e ka cilësuar si të padrejtë dhe tha se për këtë nuk ka qenë i informuar paraprakisht nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Unë kam komunikuar me homologët e mi të rajonit. Ndoshta kjo është një momentum i ri. Për këtë situatë nuk më kanë njoftuar. Me të thënë të drejtën, sinqerisht pak më duket e padrejtë, sepse në kohën kur kishte rritje të numrit të rasteve në Maqedoni, kur ka pasur shumë ma shumë raste, unë me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që e kanë dy Institutet, por edhe me komunikim me ministrin atje, kemi treguar mënyrë të bashkëpunimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve, sepse kjo ka të bëj edhe në aspektin ekonomik”, tha Zemaj në intervistë për T7.

Ai paralajmëroi se do të realizojë analiza pas vendimit të Qeverisë së RMV-së dhe nuk e përjashtoi mundësinë që të njëjtat masa t’i zbatojë edhe Kosova ndaj shtetasve të RMV-së.

Por siç tha ai, ka presion nga qytetarët e tij për shkak të kalimit të lirë me Shqipërinë.

“Për mendimin tim, ne do të ulemi dhe do ta analizojmë edhe nesër, ndoshta do të duhet të njëjtën masë edhe Republika e Kosovës ta përdor ndaj të gjitha vendeve, sepse presioni është i madh nga qytetarët tanë, sidomos për Shqipërinë”, tha Zemaj më tej.

Përndryshe, shtetasit e Kosovës për të hyrë nga mesnata e 9 korrikut, duhet të dorëzojnë në kufi test PCR jo më të vjetër se 72 orë. Kjo masë vlen edhe për shtetasit e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë.

Marketing