Ministria e Shëndetësisë kumtoi se prej sot është në funksionim edhe një pikë për testim nga koronavirusi në Poliklinikën Idadia.

Qytetarët e Shkupit mund të testohen në katër pika dhe atë në poliklinikat “Jane Sandanski”, Çento, Çair dhe Idadi. Me këtë, është rritur dyfish kapaciteti për testim në Shkup. Nga java e kaluar në funksion janë edhe pikat në qytetet: Shtip, Tetovë, Strumicë, Prilep, Ohër, Kumanovë, Koçan, Manastir, Veles, Kavadar, Gjevgjeli dhe Strugë, theksojnë nga Ministria.

Qytetarët, siç ceket, shkojnë në pikën për testim vetëm në terminin e caktuar përmes mjekut të tyre amë, e jo drejtpërdrejtë në pikë.

Qytetarët të cilët kanë simptoma të Kovid-19, por edhe ata pa simptoma duhet të lajmërohen tek mjeku i tyre amë dhe saktësisht t’i përgjigjen anketës epidemiologjike. Në pajtim me këtë, mjeku amë në bazë të evaluimit të gjendjes shëndetësore dhe të dhënave e kryen testimin, përkatësisht tregon nëse për pacientin nevojitet testim. Në këtë proces, janë përfshirë përafërsisht 1.200 mjekë amë të cilët përveç për detektim, janë të angazhuar edhe për ndjekje të pacientëve, theksojnë nga Ministria.

Deri në fund të javës, fillojnë me punë edhe pika të tjera në mbarë shtetin, në shtëpitë shëndetësore në pajtim me madhësinë e qytetit, që në të vërtetë do të thotë rritje e trefishtë, potencojnë nga Ministria dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të japin informata të sakta dhe të besueshme në anketën epidemiologjike për gjendjen e tyre shëndetësore, si dhe t’i respektojnë masat nga institucionet kompetente për mbrojtje nga koronavirusi.