Tetë vjet hasmëri, katër familje të Drenicës shtrijnë sot dorën e pajtimit

Katër familje nga Drenica, pas tetë vjetësh hasmëri mes vete, kanë shtrirë sot dorën e pajtimit duke i dhënë fund konfliktit që kishin.

Marketing

Pjesë e këtij akti fisnik burrëror tradicional shqiptar në fshatin Polac, ka qenë pjesë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, njofton Klan Kosova.
Jashari është shprehur të jetë i nderuar që ishte dëshmitar i këtij akti, teksa ka thënë se këto veprime na kujtojnë edhe fillimin e pajtimit të gjaqeve nga i ndjeri Anton Çeta, 28 vjet më parë.

”Një akt më fisnik dhe burrëror nuk ka mundur të bëhet ndryshe nga ai i sotmi me rastin e shtrirjes së dorës së pajtimit mes familjeve Hoti, Xani e Koca nga Polaci, dhe familjes Smajli nga Klina e Poshtme.

Isha i nderuar të jem i pranishëm ne aktin e përqafimit të burrave nga këto dy familje, pas 8 viteve në hasmëri, të cilat, nga sot lanë pas vete të gjitha të këqijat, dhe shfaqen bindje se si shqiptarë respektojmë tolerancën dhe traditën, e mbi të gjitha treguan se e duam paqen e mirëbesimin.

Kontribut të jashtëzakonshëm dhe me vetë iniciativë në pajtimin e këtyre katër familjeve, kanë dhënë: Zejnallah Prokshi, Murat Tahiri, Shyqeri Musliu e Shekip Fazliu.
Ky akt na kujton gjithashtu fillimin e pajtimit të gjaqeve nga i ndjeri Anton Çetta, 28 vite më parë.

Ta kuptojmë e mos ta harrojmë faktin se liria dhe lumturia e një kombi nuk mund të jenë të plota pa qenë i lumtur vet individi.

Ju familje të nderuara, qofshi faqebardhë!”, shkruan i pari i Skenderajt në facebook, Bekim Jashari.