Pas shpërndarjes së fotografive për helmimin e qenve në territorin e Komunës së Tetovës, reagime të shumta ka pasur në opinion: “Tetova qelbet”, “Jo kështu!”.

Të gjithë kërkojnë përgjegjësi nga Komuna, por kjo e fundit thotë se nuk është kompetente.

Të gjitha këto komente u dhanë deri sa qytetarët kanë shpërndarë reagimin e Shoqatës Ekologjike Eco Guerilla, ndërkohë që reagimi është shpërndarë edhe nga Organizata për Mbrojtjen e Kafshëve Anima Mundi, por pa komentuar rastin. Nga Eco Guerilla për helmimin e qenve thonë se është mizëri e papranueshme.

“Jo helmimit të qenve endacakë. Megjithëse qyteti është i vërshuar nga një numër i madh i qenve endacakë, helmimi i tyre, nga kushdo qoftë që të jetë bërë, është mizëri e papranueshme. Në bazë të ligjit për veprimtari komunale, Neni 5, Paragrafi 15 parashihet: “Komunat kanë për obligim dhe strehimin e kafshëve, qenve të pastrehë, endacakë, dhe në bazë të ligjit për mbrojtje dhe mirëqenie të kafshëve, Neni 25, Paragrafi 1 dhe 2, grumbullimi dhe transporti i kafshëve, qenve endacakë duhet të bëhet në mënyrë që ato, kafshët mos dëmtohen fizikisht apo mos të rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre”, thuhet në reagimin e Eco Guerillës.

Nga Eco Guerilla i bëjnë apel Komunës që të përshpejtojnë procedurat për ndërtimin e strehimoreve për kafshët endacake dhe të njëjtat t’i largojnë nga rrugët dhe lagjet e qytetit dhe vendbanimeve, sipas ligjit dhe rregullave të pranueshme dhe të praktikuara edhe në vendet tjera të Evropës./Portalb/