Tetovë, mbi 80% e qytetarëve nuk i kanë paguar faturat e ndërmarrjeve publike

Mbi 80% e qytetarëve në këtë kohë pandemie me Covid-19 nuk paguajnë faturat e ndërmarrjeve publike, bën të ditur Xhela Ceka – drejtor në NPK-Tetovë.

Marketing

Sipas Cekës, kjo situatë tej mase u vështirëson mbijetesën si ndërmarrje, pasi varen nga pagesat e qytetarëve. Ai kërkon nga qeveria dhe komuna që t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve publike, në të kundërtën shumë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve do të ngelin pa rroga.

“Kryekëput të hyrat e ndërmarrjes janë nga pagesat e qytetarëve dhe nga kjo epidemi pagesa na ka rënë në 80%, ose 85%. Unë me 20% nuk arrij të mbuloj as rrogën as kontributet, por kam edhe problem edhe me derivatet. Prandaj apeli ynë drejtuar qeverisë, të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të kryejnë pagesat e NPK-Tetovë. Rrogat e punëtorëve tek ne sillen diku rreth 7.5 milion denarë ose 8 milion dhe kjo tregon që unë me 2 milion që arkëtoj në muaj, më besoni se nuk është as çereku i mjeteve që ne si ndërmarrje kemi nevojë për punëtorët, por mos flasim për derivate ose gjëra të tjera. Prandaj pa ndihmën e institucioneve tjera, qoftë qeveritare ose komunale, do jetë shumë rëndë.”,- deklaroi drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka.

Në situatën e njëjtë janë edhe ndërmarrjet publike në komunën e Bogovinës. Kryetari i kësaj komune, Albon Xhemaili, për TVM2 ka theksuar se qytetarët në këtë kohë të virusit Korona nuk bëjnë fare pagesa ndaj obligimeve komunale.

“Problem më i madh që na paraqitet ne është problemi me ndërmarrjet. Faktikisht qytetarët kohët e fundit nuk bëjnë fare pagesë, ndaj obligimeve që i kanë ndaj komunës, kurse ne për shkak të situatës duhet të reflektojmë 24 orë në teren duke bërë dezinfektimin e rrugëve. Ky është një problem shumë madhor, siç edhe e theksova, dhe ne si komunë për ta mbajtur ndërmarrjen gjallë jemi të detyruar të lëshojmë mjete nga buxheti i komunës. Mbase do të ishte mirë një ndër masat e qeverisë të cilat merren, t’u ndihmohet edhe këtyre ndërmarrjeve për të kaluar kizën që e kemi tani.”,- u shpreh kryetari i komunës së Bogovinës, Albion Xhemaili.

Me vështirësi po përballen edhe ndërmarrjet private të cilat prej më shumë se 7 javësh janë të mbyllura tërësisht dhe presin ndihmë nga qeveria.

Shumë bare, restorante, e dyqane për shkak të ndërprerjes së punës jo vetëm që nuk kanë pasur mundësi t’i paguajnë të punësuarit, por nuk kanë arritur as t’i ta paguajnë qiratë, prandaj shumë prej tyre kanë falimentuar.

Marketing