Tevdovski: Me rebalancin e Buxhetit do të përmirësohet gjendja financiare nëpër komuna

Rebalanci i Buxhetit do të sigurojë mbështetje për 51 përqind nga detyrimet e paraqitura të papaguara të komunave. Tre miliardë denarë janë projektuar për shkolla, kopshte për fëmijë, qendra kulturore dhe institucione të tjera që janë nën kompetencë të vetëqeverisjeve lokale, njoftoi sot Ministri i Financave Dragan Tevdovski.

Marketing

Siç theksoi Tevdovski në konferencën për media në Qeveri në të cilën morën pjesë edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, si dhe kryetarët e komunave të Manastirit, Tetovës dhe Gjevgjelisë, Natasha Petrovska, Teuta Arifi dhe Sasho Poktov, përveç që me rebalancin e Buxhetit do t’u ndihmohet komunave ta përmirësojnë gjendjen financiare, do të mundësojë edhe krijimin e një mekanizmi për problemin e huamarrjes që të mos përsëritet, do të injektohet likuiditeti te kompanitë dhe do të krijohet hapësirë për projekte të reja.

Komunat, potencoi Tevdoski, duhet t’i projektojnë të ardhurat e veta në buxhetin themelor me më shumë se 10 për qind rritje nga realizimi mesatar në vitet e fundit.

“Borxhet prej 5.1 miliardë denarë për një vit janë reduktuar në 1.5 miliardë dhe tani institucionet mund të funksionojnë normalisht. Arsyeja kryesore për detyrimet e papaguara deri tani ishte hartimi joreal i buxheteve të komunave.

Janë krijuar buxhete të mëdha dhe janë ndërmarrë obligime të cilat më pas nuk kanë mundur t’i paguajnë. Tani po vendosim mekanizëm me të cilin kjo do të parandalohet. Do të vendosim rend që problemi të zgjidhet, por edhe për ta parandaluar në të ardhmen”, përmendi ministri.
Rebalanci kaloi në seancën qeveritare dhe nesër hynë në debat në komisionin në Kuvend.