Tevdovski: Tatimi progresiv përfshin vetëm të pasurit

Tatimi i sheshtë nuk ka dhënë efektet e pritura, ndërkaq ka favorizuar vetëm të pasurit, tha ministri i financave, Dragan Tevdovski, gjatë debatit publik mbi reformën e taksave në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Ai theksoi nevojën për të futur një sistem të drejtë tatimesh.

Marketing

“Tatimi progresiv përfshin vetëm 1% të personave me të ardhura më të larta dhe të ardhurat e tyre mesatare arrijnë rreth 4.468 euro, ndërkaq vetëm për krahasim, të ardhurat mesatare mujore të 99% të të tjerëve arrijnë 311 euro. Tatimi i sheshtë është në favor vetëm atyre që kanë të ardhura të mëdha”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Vendosja e tatimit të sheshtë nuk rriti investimet në vend dhe nuk kishte efektin e pritur, tha akademiku, Abdulmenaaf Bexheti, ndërkaq për ish-guvernatorin Goshev, taksat duhet kuptuar si investim.

“Investimet nuk u rritën, ndërkaq nuk u arritën qëllimet e pritura. Ne definitivisht kemi sistemin më agresiv tatimor. Ne kemi sistem që varet nga të ardhurat e taksave të shpenzimeve. Ndërkaq ngarkesa e taksave të këtyre të ardhurave bie mbi shtresën e mesme nëse ekziston dhe asaj të varfër”,- tha akademiku, Abdulmenaf Bexheti.

“Taksat nuk përbëjnë ngarkesë, këtë duhet ta mbajmë mend të gjithë. Taksat janë investim në civilizim”,- tha ish guvernatori, Petar Goshev.

Reforma tatimore parashikon futjen e një norme shtesë prej 8% për pjesën e të ardhurave që tejkalon 90,000 denarë në muaj. Kjo do të thotë se për të ardhurat deri në 90,000 denarë në muaj, tatimi do të mbetet 10% si më parë, ndërsa vetëm 8% më shumë do të paguhen për pjesën e të ardhurave që tejkalojnë 90,000 denarë. Për shumicën e qytetarëve shkalla e taksave do të mbetet e njëjtë, 10%.

Marketing