Rritja e pagës mesatare në qershor të këtij viti në krahasim me qershorin e vitit të kaluar prej 6,1 për qind për ministrin e Financave Dragan Tevdovski është rritje serioze.

“Posaçërisht gëzon fakti që ka rritje serioze prej 6,1 për qind ose rreth 1.400 denarë të pagës mesatare këtë qershor në krahasim me qershorin e vitit 2017. Rritja është shënuar në më shumë industri si: veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike, art dhe rekreacion, por edhe tek veprimtaritë intensive të punës”, deklaroi ministri i Financave.

Në deklaratë për MIA-n potencoi se kjo qartë tregon se masat e Qeverisë, ndërsa posaçërisht rritja e pagës minimale sollën deri në presion të rritjes së të gjithë pagave.
Enti Shtetëror i Statistikës sot publikoi se paga mesatare në qershor është 24.203 denarë, duke shënuar rritje prej 6,1 për qind.

Rritja e këtillë është meritë, para së gjithash, e rritjes së neto-pagës mesatare të paguar mujore për të punësuar në sektorët miniera dhe nxjerrje të gurëve për 20,4 për qind, informata dhe komunikime për 16,7 dhe industria përpunuese për 14,7 për qind.

Ulje të neto-pagës mesatare të paguar mujore për të punësuar, në krahasim me muajin paraprak, është shënuar në sektorët veprimtari financiare dhe veprimtari të sigurimit për 14 për qind, objekte për akomodim dhe veprimtari servisuese me ushqim 11,3 për qind dhe furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe kondicionerë për tre për qind.

Bruto-paga mesatare e paguar mujore për të punësuar në qershor të vitit 2018 është 35.530 denarë.