Thaçi: 110 vjetori i Alfabetit më i veçantë, pasi Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare edhe në Maqedoni

Sot është shënuar 110 vjetori i Kongresit të Manastirit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të kësaj dite, ku ka thënë se përvjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe sivjet është më i veçantë pasi që Gjuha Shqipe tashmë është gjuhë zyrtare edhe në Maqedoni.

Marketing

“Njëqindedhjetë vjet më parë, rilindësit tanë krijuan bazë të fuqishme për ndërgjegjen historike, pa të cilën nuk mund të bëhet as interpretimi i së kaluarës, as kuptimi i së tashmes, por as projektimi i së ardhmes. Si atdhetarë të vërtetë, delegatët e Kongresit të Manastirit, me objektivitet shkencor e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, u ngritën mbi logjikën fragmentare, mbi psikologjinë krahinore, mbi përkatësinë fetare dhe morën vendim të interesit mbarëkombëtar”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Me alfabetin tonë është shkruar dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Është shkruar edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008. Kurse, manifestimet e sivjetme të 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe janë edhe më të veçanta, pasi që gjuha shqipe tashmë është gjuhë zyrtare edhe në Republikën e Maqedonisë”.

Marketing