Thaçi: Forcat policore e ushtarake serbe një ditë do të japin përgjegjësi për krimet në Kosovë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut tha se pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare.

Marketing

Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi.

Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:

“Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë.

Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare.

Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare.

Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Marketing