Thaçi: Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është vonuar për interesa të ngushta, elektorale dhe ideologjike.

Marketing

“Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë”.

Thaçi deklaroi gjithashtu se “Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj” dhe se është pro transformimit të FSK-së në ushtri.
“Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi. Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë”.

“Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim”.

I pari i shtetit kosovar përmes një postimi në Facebook ka thënë se Ligji për transformimin e FSK-së duhet të procedohet në Kuvend dhe se koha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet për të bindur skeptikët.

“Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën”.
Në një konferencë gjatë ditës, presidenti Thaçi tha se nuk ka qenë i informuar se sot do të procedohet projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri.

Marketing