Thaçi mbështet emërimin e Skender Hysenit si koordinator për dialogun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

“Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike. Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjeton social Facebook.

E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet…

Publiée par Hashim Thaçi sur Mardi 21 juillet 2020

Të martën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

Siç u paralajmëruar nga kryeministri Hoti, koordinatori shtetëror do të punojë edhe në “draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”.

Presidenti Thaçi ndërkaq ka thënë se emërimi i Hysenit është “produkt i koordinimit ndërshtetëror”.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Pas takimit të dialogut në nivelin politik, BE-ja paralajmëroi se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë, kurse Hoti e paralajmëroi takimin për të enjten.

Por, kryeministri Hoti tha të hënën se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kjo ide u kundërshtua edhe nga Presidenca.

Marketing