Thaçi nga Reçaku: Krimet monstruoze sërbe u orkestruan nga shteti i Sërbisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për martirët e masakrës së Reçakut.

Marketing

Presidenti Thaçi ka theksuar se viti 1998 për Kosovën ishte një vit i mbushur me tmerre nga dhuna shtetërore e Serbisë, ku masakrat vazhdonin në Prekaz, Likoshan, Obri dhe anekënd Kosovës.

“Ishin vrarë mbi 2000 civilë shqiptarë dhe mijëra të tjerë të plagosur. Rreth 350 mijë civilë vazhdonin të mbeteshin në male për shkak të shtëpive të rrënuara nga ushtria dhe policia serbe, dhe për shkak të dëbimit të dhunshëm. Kjo dhunë bëhej në sy të botës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë institucionet ndërkombëtare ishin kufizuar vetëm në disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëpërmjet të cilave i kërkohej Serbisë së Slobodan Milosheviqit që të ndalte dhunën dhe të shmangte rrezikun e një krize humanitare në Kosovë.

Sipas tij, 21 më parë, në këtë fshat të vogël të Kosovës, por shumë krenar, ndodhi një krim i madh shtetëror, nga më të shëmtuarit pas Srebrenicës, nga shteti i Serbisë.

“U ekzekutuan mbi 40 civilë shqiptarë, duke filluar nga mosha 13 vjeçare e deri në moshën 82 vjeçar. Ky veprim gjenocidal shkaktoi një revoltë të paparë në planin gjithëkombëtar, por edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Para shumë të pranishmeve, presidenti Thaçi ka thënë se si rezultat i mobilizimit ndërkombëtar dhe me qëllim që t’i jepet fund politikës së gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë u organizua Konferenca Ndërkombëtare shpejt në Rambuje, në fillim të shkurtit 1999.

“Lufta e UÇK-së bëri punën e vet që është e pazëvendësueshme, është heroike, është e shenjtë. Ndihma e NATO-s ishte jetike. Kosova u çlirua, Kosova fitoi lirinë. Por, tërheqja e trupave serbe mundësoi të dilnin në shesh përmasat e gjenocidit të kryer nga shteti i Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, tanimë këtë spastrim etnik, këto masakra, këtë gjenocid askush nuk mund ta fshihte, nuk mund ta fshihte se u vranë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, u dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare, u dëbuan rreth 1 milion shqiptar nga Kosova, u kryen rreth 400 masakra dhe u vranë rreth 1300 fëmijë drejtpërdrejtë të orkestruar, të dirigjuar, të urdhëruar nga shteti i Serbisë.

Presidenti Thaçi ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që për herë të parë morën pjesë në një akademi të organizuar për masakrën e Reçakut.

“Një falënderim përulës shkon për ambasadorin Walker, që asnjëherë nuk na la vetëm edhe kur zyrtarët ndërkombëtarë nuk na vizitonin kurrë. Ambasadori Walker mbajti gjallë sensibilizimin ndërkombëtar për masakrën e kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Prandaj, për 13 mijë civilë shqiptarë, 20 mijë femra shqiptare të dhunuara, 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, 400 masakra të kryera nga shteti i Serbisë dhe rreth 1300 fëmijë shqiptarë të vrarë, për fat të keq edhe sot nuk ka drejtësi nga bashkësia ndërkombëtare. Ky është fakt”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se qytetarët e Kosovës, familjet e dëshmorëve kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të mbesin të dëshpëruara dhe natyrisht të revoltuara.

“Pse kjo amnisti ndërkombëtare ndodhë kundër spastrimit etnik që ka kryer shteti i Serbisë, për masakrat në Kosovë dhe gjenocidin e Serbisë të kryer kundër popullit të Kosovës. Dua ta them shumë hapur se kjo heshtje ndërkombëtare dhe pothuajse në një formë a formën tjetër kjo amnisti ndërkombëtare e gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë i inkurajoi dhe i trimëroi autoritetet shtetërore të Serbisë që të pretendojnë, të mohojnë edhe krimin, masakrën në Reçak”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo ka cenuar popullin e Kosovës, ka lënduar ndjenjat dhe plagët e çdo qytetari të Kosovës që kërkon drejtësi dhe kjo heshtje ndërkombëtare po bëhet vetëm për të mos ia prishur qejfin Serbisë.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë është koha që të gjithë pa hezitim ta themi të vërtetën dhe natyrisht që kryerësit që janë bartës edhe të institucioneve në Serbi të gjenocidit, të spastrimit etnik dhe masakrave të tjera në Kosovë, të dhunimeve, të dalin para drejtësisë ndërkombëtare.