Thaçi paralajmëron fundin e karrierës politike

I pari i vendit Hashim Thaci ka treguar planet e tij pas përfundimit të mandatit si president i Kosovës.

Marketing

Thaçi ka thënë se pas mandatit si president do t’i kthehet familjes dhe jetës si qytetar jashtë politikës, ndonëse më parë kishte thënë se do të kandidojë përsëri për president të vendit.

“Unë nuk e kam zgjedhur politikën, politika më ka zgjedhur mua. Edhe unë sikur të gjithë liderët aktualë, duke përfshirë edhe presidentin Ibrahim Rugova, jemi produkt i rrethanave të jashtëzakonshme dhe historike që ka kaluar vendi dhe shoqëria jonë – në betejën për liri dhe Pavarësi”.

“Me arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi dhe njohjen reciproke, mendoj se duhet të kalojë koha e liderëve historikë për një gjeneratë të re – këtu hyjnë liderët që janë për më tepër se dy dekada”.

“Unë mendoj që pas përmbylljes së mandatit t’i kthehem vetvetes dhe familjes. Do të jap kontributin tim gjithmonë për vendin dhe shoqërinë, por si qytetar”.

“Unë e kam menduar gjatë dhe vlerësoj se do t’i kthehem vetvetes. Do të bëj ndonjë punë tjetër jashtë politikës. Jeta është më interesante se sa një orientim”.

Tutje, presidenti tha se largimi nga skena politike është emancipim dhe nuk duhet marrë si traumë.

“Asnjë lider nuk duhet ta marrë largimin nga skena politike si traumë, por as elektorati nuk duhet ta marrë largimin e një lideri si traumë. Përkundrazi, unë mendoj se duhet ta marrë si emancipim njerëzor, qytetar, politik dhe institucional”.

Thaçi, gjithashtu tha se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur më ndonjë aspiratë tjetër politike.

“Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, unë nuk kam pasë ndonjë aspiratë politike. Jam shumë mirënjohës qytetarëve dhe i përulem për fitoret e shumta – në nivel lokal dhe nacional”.