Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar menjëherë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e tij për kandidatin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti.

Thaçi ka shkruar se e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shprehet se ka qenë i bindur se hapat e tij kanë qenë në përputhje me Kushtetutën.

Ai ka bërë thirrje tek partitë politike për pjekuri dhe respektim të rendit e ligjit.

“Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës.”, ka shkruar Thaçi.

Ky është postimi i plotë i Thaçit:

E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën.

Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës. HTH. /Lajmi.net/