Tiranë/Mbërrijnë protestuesit e parë tek Teatri

Nën moton “Ne jemi teatri” Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur sot një protestë kundër shembjes së godinës dhe kundër qeverisë.

Marketing

Protesta ishte parashikuar të niste në orë 16:30. Protestuesit e parë janë mbledhur në Bulevardin Zogu i Parë, në zonën pranë hyrjes së pedonales.

Grumbullimi i njerëzve ka bërë që në zonë të ketë edhe një prezencë të shtuar të forcave të policisë.

Në protestën e sotme do të marrë pjesë edhe opozita e cila në mbledhjen e djeshme vendosi që të mbështesë të gjitha protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia ndërhyri tek Teatri duke shpërndarë aktivistët për ti hapur më pas rrugë shembjes së godinës. Kjo solli një përplasje mes aktivistëve, shoqërisë civile dhe anëtarëve të opozitës me forcat e policisë. Disa episode dhune u shënuan dhe dhjetëra persona u shoqëruan.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e quajti shembjen e godinës si vendosjen e diktaturës në vend. Qëndrimi i tyre u mbështet edhe nga opozita. Ende nuk dihet se çfarë parashikohet të ndodhë në protestën e sotme. Zyra e BE në Tiranë ka bërë thirrje për vetpërmbajtje ndërkohë që vendi është në gjendjen e fatkeqësisë natyrore e cila ndalon mbajtjen e tubimeve.