Tiranë, protestë dhe seancë plenare

Opozita e bashkuar ka thirrur sot në orën 10 protestën e radhës para Kuvendit të Shqipërisë.

Marketing

Protesta do të mbahet në të njëjtën kohë me seancën plenare që pritet të zhvillohet nga mazhoranca qeverisëse ku veç rendit të ditës pritet të bëjnë betimin dhe katër deputetët nga lista shumëemërore e LSI-së që morën mandatin një ditë më parë nga KQZ.

Prej orëve të para të mëngjesit nga rrethet janë nisur në mënyrë të organizuar me dhjetëra qytetarë.

Transporti po bëhet me autobusë, furgonë dhe mjete private.
Kryetari i PD-së Shkodër, Xhevdet Amulli, në një prononcim para nisjes tha se kërkesat e opozitës së bashkuar janë të njohura tashmë; Largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore për zgjedhje të parakohshme.

Sakaq nga Fieri, kreu i PD-së Luan Baçi u shpreh se: “Sot është ditë e veçantë pasi “refugjatët” (kandidatët që kanë pranuar mandatin) që vrapojnë për të hyrë në parlament , është një turp i tyre që shkojne aty. Qytetarët shqiptarë, votuesit nuk do të lejojnë që parlamenti të vijojë punën normalisht pasi nuk është një parlament normal. Protestat do të vazhdojne sa herë që do të ketë parlament. Absolutisht që do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse populli do të votojë për qeverinë që do në pushtet dhe jo qeverinë që vjedh vota”.
Garda vendos shkallë për të larguar deputetët.

Garda ka montuar një shkallë e cila pritet të përdoret për hyrje- daljet e deputetëve nga kalaja e Tiranës, ndërsa një tjetër masë nga policia është dhe vendosja e telit me gjemba në hyrje të parlamentit, me qëllim parandalimin e protestuesve nëse do ketë thyerje të kordonit të policisë.
Në protestë pritet të angazhohen mbi 1000 punonjës policie të cilët do të krijojnë një kordon më të gjerë se gjatë protestave të tjerë, me qëllim ruajtjen e godinës së parlamentit, ndërsa një mundësi nga policia është dhe bllokimi i pedonales deri tek ministria e brendshme.

Gjatë fundjavës policia shqiptare ka montuar dhe kamera sigurie me rezolucion të lartë, të cilat me anë të zmadhimit, do të dokumentojnë të gjithë aktivitetin e protestuesve, por do të bëjnë edhe identifikimin e tyre biometrik.

Marketing