Mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Titanik 2” për parregullsi zgjedhore thanë fjalët hyrëse. Avokatët e ish anëtarëve të KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski, Sasho Srcev bashkë me mbrojtësit e Menduh Thaçit dhe Sasho Mihajllkov, në fjalët e tyre paralajmëruan dëshmi të cilat siç thonë do t’i prezantojnë në procedurë gjyqësore e që sipas tyre do ta kundërshtojnë akuzën e Speciales. Ish anëtari i PDSH-së në KSHZ, Bedredin Ibrahimi akuzoi Prokurorinë Speciale për ndjekje penale mbi baza politike.

Dëshmitë janë të rrejshme dhe nuk ekzistojnë. Dëmi që është shkaktuar e për të cilën PSP na ndjek është 75 për qind e pagës së prokurores. Qëllimet janë politike, me qëllim që të arrihet në më shumë organe shtetërore dhe funksionar, të krijohet përshtypja se në shtet gjithçka është shkatërruar dhe nga qielli na është dërguar PSP si shpëtimtare e sistemit juridik të shtetit – tha Bedredin Ibrahimi, Ish anëtar i KSHZ-së.

Avokatët mbrojtës pothuajse njëzëri kundërshtuan akuzën, duke theksuar se në këtë rast nuk ka bazë për vepër penale pasi Kodi Zgjedhor nuk parashikon një vepër të tillë e cila mund të kryhet si vepër penale nga anëtarët e KSHZ-së. Ndaj fjalëve të tyre, reaguan prokurorët special të cilët kërkuan nga gjykatësi Ognen Stavrev që t’ia bëj me dije avokatëve se gjykimi ndodhet në fazën e fjalëve hyrëse dhe jo në fazën e kundërshtimit të akuzës.

Në seancën e kaluar, Specialja tha fjalët hyrëse. Në këtë rast, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Lënda e PSP-së, “Titanik 2” ka të bëj me ndikimin e ish shefit të DSK-së, Mihajllkov dhe liderit të PDSH-së, Thaçi ndaj anëtarëve të KSHZ-së për sjelljen e vendimit me qëllim përsëritjen e votimit në një vendvotim në Strumicë në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Gjykimi i radhës vazhdon më 6 korrik ku pritet të dëgjohen bisedat e përgjuara si dëshmi.