“Titanik 2”: Mbrojtja e Mijallkovit kërkoi aktvendim lirues, nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka kryer ndikim ndaj KSHZ-së

Avokati Mile Petrovski, mbrojtës i të akuzuarit Sasho Mijallkov, në fjalën e sotme përfundimtare në gjykimin për parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale në vitin 2013, “Titanik 2”, kërkoi sjellje të aktvendimit lirues për klientin e tij, sepse, siç tha, nuk ekziston asnjë dëshmi se ai ka ndërmarrë çfarëdo lloj veprimi apo ka kryer vepër penale që i ngarkohet.

Marketing

“Nuk ekziston dëshmi për çfarëdo lloj kërkese apo ndikimi të kryer nga Sasho Mijallkov ndaj Menduh Thaçit, si rezultat i së cilës, në mënyrë kundërligjore është përfituar e drejta për pjesëmarrje të mëtutjeshme të kandidatit Vasil Pishev në zgjedhjet në Strumicë”, theksoi Petrovski.

Theksoi se obligim i atij që e ka parashtruar aktakuzën është të japë dëshmi se Mijallkov ka shfrytëzuar ndikimin real ndaj Menduh Thaçit dhe ka pranuar shpërblim për ndikimin e tillë.

“Ky është supozim i pabazë dhe i pakonfirmuar. Element pa ekzistimin e të cilit as nuk është e mundur të parashtrohet aktakuzë, e as të gjykohet”, theksoi Petrovski.

Theksoi se vendimi i KSHZ-së për të cilin thuhet se është i paligjshëm, është vendim kolektiv dhe i konfirmuar nga organi i shkallës së dytë.

Mbrojtësi Ljupço Shvërgovski tha se e tërë aktakuza kahëzohet në bazë të një audio materiali, për të cilin, siç tha, është marrë në mënyrë kundërligjore.

Sipas aktakuzës, Sasho Mijallkov e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe me telefon i ka kërkuar Menduh Thaçit të ndikojë ndaj anëtarit të partisë së tij në KSHZ të votojë për sjellje të vendimit në dobi të partisë VMRO-DPMNE pas ankesës për votim në vendvotimin 1727 në Strumicë, me çka kandidati Vasil Pishev ka përfituar të drejtën kundërligjore për pjesëmarrje të mëtutjeshme në zgjedhje.

Në “Titanik 2” të akuzuar janë edhe disa ish-anëtarë të KSHZ-së.

Mes tyre është edhe anëtarja e mëparshme e KSHZ-së, Aneta Stefanovska. Ajo, sipas avokatit të saj, Vlladimir Pazhiq, nuk ka kryer vepër penale e as nuk ka ndërmarrë veprim për çka ngarkohet.

Pazhiq kërkoi atkvendim lirues për Stefanovskën.

E akuzuara Stefanovska në fjalët përfundimtare tha se ajo si anëtare e KSHZ-së prej vitit 2012 deri në vitin 2016 ka marrë pjesë në disa zgjedhje dhe deri më tani nuk ka pasur kurfarë gabimi dhe të gjitha funksionet i ka kryer me nder dhe profesionalisht. Ajo pyet përse është në gjykatë dhe tha se nuk ndjehet fajtore.

“Si anëtare e KSHZ-së, pohoj se mua askush nuk më ka sugjeruar si të votoj”, tha Stefanovska dhe shtoi se ka votuar sipas bindjes së vet personale.

Stefanovska qau dhe tha se aktakuza ka ndikuar në shëndetin e saj.