“TNT”, Trajkovski sërish nuk u paraqit në Gjykatë

Gjykimi për rastin TNT nuk filloi as të hënën. Do të ketë një përpjekje të re më 6 shkurt, për fillim të procesit. Ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, i cili akuzohet për rrënimin e objektit “Kosmos”, nuk u paraqit në gjyq. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe nuk ka mundur të marrë pjesë në gjykim. Në sallën e gjyqit, gjendjen shëndetësore e shpjegoi mjekja neuropsikiatër, Viktorija Vujoviq. Me kërkesë të avokatit të Trajkovskit, gazetarët nuk dëgjuan pse i pandehuri nuk mund të vijë në gjykatë.

Marketing

Mjekja erdhi në seancë të mbyllur, e deklaroi arsyen dhe shpjegoi diagnozën, nuk do të doja ta komentoja, nuk është e ndershme. Por, tha se ishte e përkohshme dhe shpresoi të përmirësohet gjendja në 10-15 ditët e ardhshme. – A është serioze gjendja e Trajkovskit? – Sipas deklaratës së mjekes është serioze, por kaluese- deklaroi JOVICA STRASHEVSKI, AVOKAT I TONI TRAJKOVSKIT.

Kjo është shtyrja e tretë e gjyqit për rastin TNT, pasi u ndryshua përbërja e në gjykim. Javën e kaluar, Trajkovski nuk erdhi në gjykim, sepse nuk ka pasur thirrje të duhur. Erdhi të nesërmen, por kërkoi që gjykimi të shtyhej për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Por, këto nuk janë shtyrjet e vetme, për shkak të Trajkovskit. Edhe në fund të vitit 2019, nuk kishte gjykime, sepse ish-kryetari i komunës së Gazi Babës u rrah dhe sulmuesit mbetën të panjohur. Dhe derisa Trajkovski është në pushim mjekësor, avokatët ende po llogaritin se si do të vazhdojë procesi, tani që ai është kthyer në fillim. Varet prej tyre, nëse vetëm do të lexohen dëshmitë e prezantuara gjatë dy viteve të fundit në gjykimin e TNT-së, ose do të prezantohen sërish. Për prishjen e Kompleksit Kosmos, të Fijat Canovskit, përveç Trajkovskit, gjithashtu akuzohen edhe ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit Mile Janakieski dhe katër punonjës të tjerë të komunës Gazi Babë.

Marketing