Me fillimin e sezonës së verës edhe artistët shqiptarë kanë nisur punën në lansimin e projekteve të reja.

Madje, lirshëm mund të thuhet se janë në ‘luftë’ me njëri-tjetrin për atë që do të quhet hiti i verës, 2018, shkruan lajmi net.

Disa projekte janë publikuar më herët e disa nga këngëtarët nuk ndalen së punuari, ku edhe vazhdimisht po sjellin gjëra të bukura për fansat e tyre. Tanimë, nuk kemi edhe aq kohë për t’i shijuar projektet e reja pasi që vëmendja është te çdo këngë e re, pavarësisht se në çfarë lloj zhanri vjen.

Klikimet në kanalin zyrtar, Youtube kanë bërë që të mos ndalen së publikuari projekte të reja ku përveç përfitimeve tregojnë edhe suksesin e qindra apo mijëra dëgjuesve.

E nga ana tjetër padyshim se edhe konkurrenca është rritur ku artistët e rinj janë duke e pushtuar tregun vendor, e mos të themi se kanë lënë anash gjeneratat e vjetra.

Megjithatë, rrjetet sociale janë një ‘armë’ e fortë si në paralajmërimin e këngëve të reja e po ashtu edhe në promovimin e tyre qoftë nga ta apo edhe nga kolegët e tyre. Nuk janë të pakta rastet kur artistet shqiptare më shumë joshin sesa shfaqin talent në krijimtarinë që bëjnë.

Më poshtë Lajmi.net ju sjell 10 këngët e momentit që për një kohë të shkurtër kanë marrë qindra e mijëra klikime:

Ardian Bujupi dhe Xhensila Myrtezaj

Një nga bashkëpunimet më interesante dhe më të pëlqyera është ai i artistit Ardian Bujupi me këngëtaren nga Shqipëria, Xhensila Myrtezaj që sollën këngën “Çika Çika”. Ky projekt ritmik i tyre tashmë numëron më së shumti klikime në kanalin,Youtube me mbi 36 milionë. Klipi ishte realizuar gjatë kohës kur Xhensila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë por që ia doli mjaft bukur. Kur jemi tek artisti Bujupi padyshim se është një nga të vetmet këngë që ka thyer rekord dëgjueshmërie. Meqë janë këngëtarë të veçantë, nuk ka dyshim se edhe kënga është unike.

Ghetto Geasy ft Flori Mumajesi

Kur jemi tek duetet një i tillë nuk ka munguar as nga ylli i “BabaStars”, Ghetto Geasy dhe kantautori Flori Mumajesi. Ata kësaj radhe i kanë kënduar dashurisë me projektin “Dashni me raki”. Kjo këngë renditet tek e dyta me hitet e kësaj vere që ka marrë mbi 25 milionë klikime. E punuar nga dyshja në fjalë dhe me klip atraktiv veror vazhdon të mbetet kënga më e dëgjuar edhe në mbrëmje të ndryshme muzikore. Një bashkëpunim i rrallë dhe i papritur por që ia ka vlejtur…

Butrint Imeri

Nëse është fjala për hite muzikore padyshim se prapa kësaj qëndron artisti i ri por mjaft i talentuar, Butrint Imeri. Zëri i tij i ëmbël ka bërë që këngët të pëlqehen tejet shumë dhe të shndërrohen në hite. Edhe pse i ri në tregun muzikor, Imeri ka arritur të rrëmbejë zemrën e shumë nga publikut shqiptar, posaqërisht gjinisë së bukur. Me projektet e njëpasnjëshme që sjell ai më shumë bie në sy për videoklipet e veçanta, që rrallë mund t’i shihni nga të tjerët. “Ma Cherie” e tij ka kapur 20 milionëshin e klikimeve e që edhe kjo e fundit “Alea” po i ecën mjaft mbarë.

Tayna ft Don Phenom

Artistja nga Prizreni, Doruntina Shala apo siç njihet për publikun Tayna ka bërë bujë të madhe me këngët e fundit. “Columbiana”, është projekti i saj mëse i pëlqyer ku vjen në bashkëpunim me Don Phenom. Edhe pse nuk ka shumë kohë që nga publikimi, kënga tashmë ka mbi 15 milionë klikime në Youtube. Kjo bëri bujë të madhe, pasi nuk ndëgjohet vetëm në trojet shqiptare por edhe më gjerë.

E pas “Columbianës”, Tayna ka publikuar edhe të rejën “Shqipe”, projekte këto që i kanë krijuar famë të madhe. Doruntina po cilësohet edhe rivale e shumë artisteve të reja, nga të cilat po pranon ‘dissa’ të ndryshëm. Gjithsesi, audienca ka një simpati të madhe për të.

Adrian Gaxha ft Onat

Është cilësuar si një nga projektet më të vështira e njëkohësisht qesharake që sollën Adrian Gaxha dhe reperi, Onat. “Lujmi krejt”, është kënga e dyshes ku si protagonist i klipit është Flakron Aliu i cili bën veprime të ndryshme mbi tavolinë, për të tërhequr vëmendjen e një vajze.

E përpos këngës e kënduar në zhanre të ndryshme projekti gjithsesi është admiruar edhe për klipin atraktiv. Sido që të jetë, “Lujmi krejt”, ka marrë mbi 15 milionë klikime në kanalin zyrtar, Youtube. Pas kësaj, presim edhe shumë gjëra të reja nga artistët e lartpërmendur.

Elvana Gjata&Ledri Vula dhe John Shahu

“Mike”, konsiderohet të jetë një nga projektet më të suksesshme të Elvanës, Ledrit dhe yllit të ri, John Shahu i cili ia ka ‘vrarë’ veshin të gjithëve me zërin e ëmbël. Kjo këngë për pak ditë ka thyer rekord dëgjueshmërie në Youtube, që tani ka mbi 15 milionë klikime.

Përpos Ledrit dhe Elvanës që i dhanë ngjyrë projektit, Johni ka pranuar komente mjaft pozitive nga publiku. Një bashkëpunim i tillë dhe i veçantë u prit shumë mirë nga audienca dhe fansat e shumtë që ata kanë. E nga ana tjetër, pritet që të shohim edhe këngë të reja dhe ritmike nga këta artist të suksesshëm.

Kida

Orhidea Latifi apo Kida është njëra nga artistet më të reja shqiptare që ka arritur të fitojë një numër të madh të fansave. Për të gjithë adhuruesit e muzikës së saj, Kida publikon projekte të shumta që po priten tejet mirë. “Bileta”, është një nga këngët e Latifit që tashmë numëron mbi 13 milionë klikime në Youtube. Pas kësaj ajo ka lansuar “Mas”, që gjithnjë sjell stile të reja në klipet që realizon. Për dallim nga të tjerët, Kida vazhdon të jetë pjesë e labelit “On Records”.

Majk ft Ghetto Geasy

Përpos projektit me Flori Mumajesin, Geti nuk e ka përmbyllur veren me kaq. Për adhuruesit e muzikës që bën ai ka lansuar projektin e radhës “Paris Milano”, në duet me reperin Majk. Ndonëse nuk ka shumë kohë që është publikuar, kënga u prit mjaft mirë e që tani numëron mbi 13 milionë klikime.

Ndërsa Majk i ftuar në emisionin “Mirage” që është prodhim i lajmi.net ka shpalosur shumë të reja rreth jetës private dhe asaj profesionale. Ai po ashtu ka premtuar edhe projekte të reja që do i sjell në vazhdim.

Elvana Gjata

“Ku vajti”, është kënga solo e Elvanës e lansuar muajin që lamë pas e që mori suksesin e dëshiruar nga publiku. Si asnjëherë më parë, Gjata në këtë klip shfaqet tejet profesionale së bashku me koreografët e njohur që realizuan një videoklip mjaft interesant. Gjatë gjithë këtij projekti ajo tregoi për vështirësitë që ka hasur e në lëvizjet që bën. Momentalisht, Elvana edhe pse i takon gjeneratës më të vjetër mbetet artistja më “IN” si në projekte muzikore ashtu edhe në jetën e përditshme. Theksojmë se në shkurt të këtij viti ajo ka lansuar albumin e ri “3EP”, me këngë dhe hite shumë të dëgjuara.

Dhurata Dora

E fundit që ia ka vënë vulën hiteve të kësaj vere është këngëtarja e njohur shqiptare, Dhurata Dora me këngën “Jake Jake”. E lansuar vetëm para 3 jave, Dora bëri bujë të madhe me këngën e fundit që është verore e në të njëjtën kohë edhe ritmike. “Jake Jake” me rekord dëgjueshmërie në Youtube ka afro 10 milionë klikime. Nuk është hera e parë kur Dhurata ‘bombardon’ me projekte të reja e që lirshëm është ndër artistet më të dashura për audiencën. Ajo po ashtu është në përgatitje të befasisë së radhës për të gjithë fansat e saj.

Megjithatë, të gjithë artistët e lartpërmendur si në bashkëpunime ashtu edhe në solo kanë një numër të madh të fansave që i përcjellin vazhdimisht, e padyshim se edhe këngët që ata sjellin për publikun i përshtaten kohës dhe janë të kuruara deri në detaje, për çka edhe klikimet janë të shumta. /Lajmi.net/