TOP 100 kompanitë shqiptare. Fatmir Bytyqi nuk gjeti kohë të marrë pjesë, për shkak të obligimeve tjera

U shpallën 100 më të mirët në biznes në rajonin e Maqedonisë Veriperëndimore. Zaev, Grubi, Xhaferi dhe Besimi në radhët e para të manifestimit. Por, mungoi zëvendëskryeministri Bytyqi. E pyetëm nëse ka marrë ftesë, tha po, por se nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të obligimeve të tjera pune. I gjithë manisfestimi ishte përcjellë në formë hibride. Funksionarët kësaj radhe nuk ishin ekspozuar në pyetjet e gazetarëve, sidomos për atë se çka premtuam, e çka realizuan për 100 ditët e Qeverisë. Afaristët morën mesazh të vazhdojnë në guximin e tyre, bile edhe në kushte të Covid-19.

Marketing

Vazhdoni me investimet dhe punësimet e reja, tha kryeministri Zaev. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, nuk harroi të theksojë se në këto kohëra të vështira, Oda ka qëndruar pas afaristëve.

“Aftësia për lidership më së miri dëshmohet në kohë krize. Kur në vendin fillon të thellohet kriza me pasoja ekonomike dhe sociale, Oda nuk e kurseu veten dhe qëndroi pranë afaristëve”, tha Hoxha.

I pari i Financave, Fatmir Besimi, rikujtoi për pasojat dhe seriozitetin e krizës në të cilën gjendemi. Megjithë, nuk e humb optimizmin. Pret Qeveria ta dyfishojë rritjen ekonomike.

“Vitin që vijon të shënojmë rritje prej 4.1% të BPV-së. Viti 2022 të vazhdojë me 4.6 dhe 5.9 në vitin 2025, me strategjinë e njëjtë për rikuperim ekonomik. Së shpejti me Bankën Evropiane të Investimeve do të nënshkruajmë kredi në vlerë prej 100 milionë eurove të cilat do të vlejnë për vitin e ardhshëm”, deklaroi Besimi.

Besimi rikujton se ulja globale e ekonomisë ka ndikuar edhe mbi ekonominë tonë, duke shkaktuar një rënie prej 14.9 të BPV-së. Kompanitë të vazhdojnë me investimet e parapara, kurse shteti qëndron pas tyre për t’i mbështetur, siguron Qeveria. 100 kompanitë më të mira kanë realizuar qarkullim prej gjithsej 900 milionë eurove. 10 kompanitë e para kanë pasur qarkullim prej 384 milionë eurove, kurse kanë realizuar neto përfitim prej 66 milionë eurove, që është për 17% më shumë në raport me vitin 2018. Ngjarja filloi me prezantimin e figurës dhe veprës së Enver Maliqit, një nga kreatorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Disa njerëz nuk vdesin kurrë dhe vazhdojnë të jetojnë mes nesh, tha kryeministri Zaev. Duke shprehur ngushëllime familjes së Maliqit, tha se ai ishte një afarist i suksesshëm, humanist dhe filantrop, ose siç e quajti “njeri gjigant” i cili e gëzonte jetën. Duhet t’i ndjekim veprat e tij, përfundoi Zaevi në fjalimin e tij në manifestimin e sotëm ku u shpallën 100 afaristët më të suksesshëm nga rajoni veriperëndimor. TV21

Marketing