Tottenhami mbeti i impresionuar me Vedat Muriqin

Sulmuesi kosovar është vëzhguar nga zyrtarët e klubit anglez, të cilët kanë mbetur të impresionuar me paraqitjet e tij. Muriqi realizoi një herë nga penalltia dhe i dhuroi dy asistime për Kosovën në duel me “Tre Luanët”

Marketing

Vedat Muriqi vazhdon ta rrisë reputacionin e tij falë paraqitjeve mbresëlënëse, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi kosovar shkëlqeu edhe në ndeshjen ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Prizrenasi e nxori një penallti, të cilën e shndërroi në gol, ndërsa i dhuroi edhe dy asistime në golat e Valon Berishës, në humbjen e “Dardanëve” 3:5 ndaj “Tre Luanëve”.

E përditshmja turke “Fanatik” shkruan se 25 vjeçari është vëzhguar nga drejtuesit e Tottenhamit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Southamptonit.

Madje, skautët e klubit anglez kanë mbetur të impresionuar me paraqitjen e futbollistit të Fenerbahçes.

Gjatë verës, nga nënkampioni evropian u larguan Fernando Llorente dhe Vincent Jansson, prandaj Spurs janë duke e kërkuar një sulmues tjetër, i cili do t’i bënte konkurrencë sulmuesit kryesor, Harry Kane.

Muriqi iu bashkua klubit nga Stambolli gjatë kësaj vere dhe menjëherë doli n pah me dy gola të shënuar në fillim të sezonit.

Ai ka kontratë me klubin turk deri në vitin 2023.

Mirëpo, një ofertë e majme mund ta bind Fenerbahçen që ta shesë sulmuesin e rrezikshëm.

Kane është titullar i padiskutueshëm për trajnerin Maurizio Pochettino, por një alternativë e sulmuesit anglez do të ishte e mirëseardhur në ekipin londinez.

Muriqi ka realizuar 12 gola në 13 ndeshjet e fundit në Superligën turke, me Rizesporin dhe Fenerbahçen.

Krahas golit me Anglinë, Muriqi realizoi edhe në fitoren 2:1 të Kosovës ndaj Republikës Çeke të shtunën e kaluar.

Marketing