Burrë e grua u dogjën në banesën e tyre në fshatin Gjergjan, Elbasan, ndërsa pas kësaj ngjarje të rëndë dyshohet se fshihet një tjetër tragjedi.

Shyqo (Vasil) Liçi, 65 vjeç dhe gruaja e tij Sabire Liçi, 60 vjeçe u gjetën të pajetë, të djegur në shtëpi, nga nipi i tyre.

Dyshimet e para të policisë janë se shkaktarë i qëllimshëm i kësaj tragjedie është vetë kryefamiljari.

“Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ku nga hetimet paraprake dyshohet se 65-vjeçari ka hapur bombolën e gazit e më pas i ka vendosur flakën.

Si pasojë kanë marrë flakë disa orendi shtëpiake si dhe dyshohet nga asfiksia kanë ndërruar jetë bashkëshortët.

Nipi i tyre ka konstatuar zjarrin dhe ka shkuar menjëherë në banesë duke u futur nga dritarja por çifti kishte ndërruar jetë”, thotë policia në një njoftim zyrtar për ngjarjen.