Trajneri i Portugalisë: Është e qartë se Ronaldo është më i miri në botë

Trajneri i ekipit kombëtar të Portugalisë, Fernando Santos, beson se paraqitja e mbrëmshme e Cristiano Ronaldos, që i shënoi katër gola, është dëshmi e qartë se ai është futbollisti më i mirë në botë.

Marketing

Cristiano Ronaldo u bë golashënuesi më i mirë në histori të kualifikimeve për Kampionatin Evropian me 25 gola, pasi shënoi katër herë në fitoren 5:1 të Portugalisë kundër Lituanisë.

Ylli 34-vjeçar ishte i pandalshëm në ndeshje kualifikuese për EURO 2020 të Grupit B në Vilnius, ku ai e festoi het-trikun e tij të tetë për Portugalisë, përderisa edhe e arriti shifrën prej 93 golash me Kombëtaren.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë, Ronaldo, krahasohet vazhdimisht me pesë-herë fituesin tjetër të Topit të Artë, Lionel Messin, në debatin se cili është futbollisti më i mirë në botë. Mirëpo, për trajnerin e Portugalisë përgjigja në këtë pyetje është e qartë.

“Kjo është dëshmia e qartë dhe e pakthyeshme se ai është futbollisti më i mirë në botë”, tha Santos, pas ndeshjes kundër Lituanisë.

“Nuk ka asnjë stadium në botë ku nuk duartrokitet Ronaldo. Ne shkuam në Paris në ndeshjen time të parë dhe hoteli në Francë ishte përballë rrugës. Kishte me mijëra njerëz para derës sonë”.

“Mendoj se është e çuditshme kur ai nuk shënon. Ata thonë se karriera e tij po merr fund… asgjë nuk po merr fund. Duhet të jesh i kujdesshëm sepse nuk merr fund asnjëherë”.