Transformohet Qendra e fëmijëve pa prindër

Në kuadër të projektit për deinstitucionalizim, të gjithë fëmijët nga Qendra e fëmijëve pa prindër “11 tetori” janë tërhequr nga ky institucion dhe janë vendosur në familje përkujdesëse, apo në qendra të vogla grupore.

Marketing

Ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska, thotë se ky institucion do të transformohet në qendër për përkrahjen e familjeve të cilat rrezikojnë t’i braktisin fëmijët.
“Institucioni “11 tetori” së shpejti duhet të transformohet në qendër për përkrahjen e familjeve në rrezik, një pjesë e tyre janë familje përkujdesëse, por edhe familjet që kanë rrezik t’i braktisin fëmijët, të prevenohet që të mos ndodh ajo, prandaj kjo qendër sipas modeleve rajonale do transformohet e ekipohet dhe do të ketë program që do t’u ofrohet familjeve të tilla”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Edhe përfaqësuesi i UNICEF-it për Maqedoninë, Benxhamin Perks, tha se dy të tretat e fëmijëve që më parë kanë qenë të vendosur në institucione të mëdha, tani janë sistemuar në qendra të vogla grupore.

“Nuk mundemi as ta paramendojmë se sa është e vështirë dhe stresuese për një fëmijë të rritet në një institucion të madh pa marrë parasysh se sa personeli është profesional dhe ofron përkujdesje. Ajo nuk mund ta zëvendësonte lidhjen emotive që i nevojitet çdo fëmije për t’u rritur në mjedis të shëndoshë. Sfida e radhës është të sigurohet qendër grupore edhe për 45 fëmijët nga qendra në Manastir”,- u shpreh përfaqësuesi i UNICEF-it për Maqedoninë, Benxhamin Perks.

Fëmijët e sistemuar në qendra të vogla grupore do të kenë përkujdesje prej 24 orë, vlerëson drejtoresha e Entit “11 tetori”.

“Ambienti këtu do të jetë i ngjashëm me atë familjar, ku do të ofrohet përkujdesje 24-orëshe. Nuk do të jetë gjendja paraprake ku nuk mund t’u ofrohet kujdes adekuat fëmijëve për shkak të numrit të madh”,- theksoi drejtoresha e Qendrës “11 Tetori”, Sonja Stamevska.
Angazhimi i MPPS-së dhe Qeverisë është që deri në vitin 2020 asnjë fëmijë nën 18 vjet të mos mbetet në institucione dhe të ndryshohet mënyra e përkujdesjes për personat të cilëve u nevojitet ndihmë sociale afatgjate.

Marketing