Transporti pa pagesë i nxënësve, botimi i librave dhe në përgjithësi gjendja e arsimit në Maqedoni ishin në fokusin e ditës së parë të vitit shkollor në seancën e 58-të plenare të Kuvendit.

Transporti pa pagesë i nxënësve në të ardhmen në komunat ku ka orar të konfirmuar do të realizohej nga ana e bartësve të lejeve për transport komunal dhe ndërkomunal, sipas çmimeve dhe në mënyrë të konfirmuar nga këshillat e komunave dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit. Çmimet e transportit ndërkomunal nuk mund të jenë më të larta se çmimet për udhëtarët tjerë.

Kjo është paraparë në ligjin për plotësim të Ligjit për transport në komunikacionin rrugor, në procedurë të shkurtër, propozues të së cilës janë deputetë nga shumica parlamentare, e që ishte sjellë sot në Kuvend.

Deputeti Aleksandër Kiracoski e arsyetoi propozimin duke theksuar se me ndryshimin e mënyrës së transportit të këtyre nxënësve nga arsimi fillor dhe i mesëm do të kursehet shumë. Në Manastir, tha Kiracoski, brenda vitit do të kurseheshin mbi 10 milionë denarë.

Kiracoski ishte decid se kjo zgjidhje ligjore do të funksionojë dhe nxënësit do të transportohen, dhe ata janë në pajtueshmëri me rregullativën për furnizimet publike duke i hedhur poshtë pohimet e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Debati për transportin e nxënësve në disa momente u shndërrua në debat për arsimin dhe referendumin. Kështu Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE-ja akuzoi se edhe pse sot filloi viti shkollor, nuk ka libra për fëmijët dhe se Qeveria më 31 gusht kishte nënshkruar marrëveshje në katër sy pa tender prej 7,5 milionë eurove për libra. Këto para, sipas tij, duhet t’i ndajnë dy kompani.

“A ka në Maqedoni nevojë për tenderë dhe inspektim financiar”, pyeti Gjorçev.
Në lidhje me transportin e nxënësve, deputetët e VMRO-DPMNE thanë se me këtë plotësisht lihet mënjanë ligji për furnizime publike, se prindërit e fëmijëve nuk janë konsultuar se a dëshirojnë që fëmijët e tyre deri në shkollë dhe anasjelltas të udhëtojnë me transport publik, se nuk kanë ofruar analiza se ku nuk ka transport ndërkomunal dhe se si ata do të shkojnë në shkollë, por edhe se kryetarët e komunave nga partitë në pushtet do të përgjigjen penalisht.

Artan Grubi nga BDI-ja, duke iu kundërpërgjigjur Gjorçevit, potencoi se të dyja shtëpitë botuese të cilat do t’i ndajnë paratë për botimin e librave për arsim fillor dhe të mesëm janë të njëjtat që e kishin bërë këtë nga viti 2008 e këndej, por se tani çmimi është zvogëluar për 40 për qind. Sipas Grubit, e gjithë procedura është më transparente.

“Për herë të parë ka 22 libra të korrigjuar me të cilat nxënësit tanë do të mësojnë”, tha Grubi, i cili tha se ministrat e Arsimit nga VMRO-DPMNE-ja Spiro Ristovski dhe Nikolla Dimitrov marrëveshjet për botimin e librave i kishin nënshkruar në “tre sy”.

Në kuadër të seancës së 58-të plenare ishin sjellë edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për inspektim financiar në sektorin publik, në procedurë të shkurtër të dorëzuar nga deputetët Jovan Mitreski, Kostadin Kostadinov dhe Rexhail Ismaili, Ligji për garanci të Republikës së Maqedonisë në obligimet e Marrëveshjes financiare, i dedikuar për financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe projekte tjera prioritare – V faza, që do të nënshkruhet ndërmjet BEI dhe Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit, në procedurë të shkurtër etj.