Subvencion intervent prej tre denarëve për kilogram do të marrin kultivuesit e mollës që do ta dorëzojnë prodhimin e vet tek blerësit e regjistruar më së voni deri më 25 dhjetor të këtij viti me çmim jo më të lartë se pesë denarë për kilogram, vendosi Qeveria në mbledhjen e sotme.

Siç kumtoi Ministria e Bujqësisë, me subvencionin e ri jo vetëm që do t’u mundësohet bujqve të kenë prodhim rentabil, por do të krijohen kushte edhe për blerje të tërë sasisë së mollëve të kultivuara.

“Qeveria e solli këtë vendim që t’u dalë në ndihmë kultivuesve të mollës, posaçërisht në rajonin e Prespës, të cilët pësuan dëme të mëdha ndaj prodhimit për shkak të fatkeqësive të motit. Për shkak të dëmeve nga reshjet e breshrit në rajonin e Prespës ku janë të mbjellura sipërfaqe të mëdha me mollë dhe ka dëme tek një pjesë e madhe e frutave, vlera ekonomike e rekoltës është ulur dhe mund të përdoret vetëm për përpunim industrial”, thekson Ministria.
Vlerësimet janë se një sasi më e madhe e mollëve industriale nuk do të mund të përpunohet në tërësi në kapacitetet përpunuese.

“Që të mundësohet blerje e tërë sasisë, Qeveria vendosi këtë subvencion të ri prej tre denarëve për kilogram, që është rezultat i disa takimeve të cilat ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, së bashku me ekipin nga MBPEU-së i mbajti gjatë periudhës së kaluar me kultivuesit dhe blerësit e mollëve”, qëndron në kumtesë.

Shtohet edhe se subvencioni i ri i sotëm është masa e pestë të cilën Ministria e vendosë për kopshtarinë.
MBPEU përkujton se këtë vit për 20 për qind janë rritur subvencionet për mirëmbajtje të të mbjellave kopshtare për bujqit me potencial zhvillimor, ndërsa për rikonstruim tek të mbjellat kopshtare, posaçërisht tek mollët për ndryshim të asortimentit, u vendosë subvencion i ri më i madh prej 9.900 denarëve. Për ndryshim, ndërkaq, të prodhimtarisë nga kultura të drithërave në kultura të kopshtarisë bujqit do të marrin 30 për qind subvencion më të lartë për hektar. Plotësisht, në programin e sivjetshëm subvencioni për fruta të dorëzuara në kapacitete përpunuese për fruta është rritur prej dy në tre denarë, për kilogram.