TikTok është një aplikacion për shpërndarjen e videove në internet dhe zotërohet nga një kompani kineze.
Foto: Flickr

Diçka po zien në botën e internetit.

Bëhet fjalë për aplikacionin TikTok që po shkarkohet dhe përdoret me ritme të shpejta në mbarë botën, nga fëmijë e të rritur, duke ngjallur shqetësime për një mjedis toksik në botën e internetit.

Pavarësisht përdorimit masiv, ka shumë njerëz që po t’i pyesësh se çfarë është TikTok-u, nuk dinë çfarë të thonë për të.

Çfarë Është Aplikacioni TikTok?
TikTok është një aplikacion për shpërndarjen e videove në internet dhe zotërohet nga një kompani kineze.

Përdoruesit e saj mund të xhirojnë video, të montojnë dhe të ndajnë me të tjerët fragmente 15 sekondëshe të ditës së tyre.

Këto fragmente mund të pasurohen me filtra, muzikë, animacione, efekte speciale e shumë më tepër.

Si në çdo aplikacion apo platformë tjetër, përdoruesit mund të ndjekin njëri tjetrin, të pëlqejnë postimet apo të shkruajnë komente.

TikTok është i përshtatshëm për sistemet iOS dhe Android.

Thënë shkoqur, TikTok ka ardhur në jetët tona për ta bërë rrjetin social më argëtues.

Si Ndryshon TikTok nga Aplikacionet e Tjera
Vitin e shkuar, TikTok kishte 400 milionë përdorues aktivë, ndërsa tani ky numër ka shkuar në gjysëm miliardë.

Vlera në treg e kompanisë është 75 miliardë.

Ky aplikacion kombinon fuqinë e inteligjencës artificiale me telefonin celular në përpjekje për të revolucionizuar mënyrën se si njerëzit përpunojnë dhe marrin informacion.

Praktikisht, TikTok synon tu japë përdoruesve vetëm atë që duan.

Grupmosha që e përdor më shumë këtë aplikacion janë 20 vjeçarët, megjithatë, ai ka gjetur mbështetjen e shumë njerëzve të famshëm të Hollivudit.

A Rrezikohen Fëmijët Nga Ky Aplikacion?
Qëllimi i aplikacionit është argëtimi. Megjithatë, duke marrë në konsideratë faktin se miliona përdorues të tij janë fëmijë, prindërit duhet të tregojnë kujdes.

Gjasat që ky aplikacion të krijojë një ambient toksik për fëmijët janë të mëdha, sepse ata mund të përballen me komente negative nga të tjerët.

Prindërit mund të ndërhyjnë tek veçoritë e privacisë tek aplikacioni dhe të ndalojnë ndërveprimin e fëmijëve të tyre me njerëz të caktuar, ose të bllokojnë komentet që janë të papërshtatshme./AgroWeb.org