Senatori tashmë i ndjerë amerikan, John McCain vizitoi Kosovën hiç më larg se një vit më parë, në kohën kur po luftonte me sëmundjen.

Ai gjeti kohë të vinte në Kosovë dhe të fliste për përparimin e vendit për të cilin bëri shumë shteti i tij.

McCain që në fillim foli për vitin 1999 kur bashkë me ish-zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, çonin përpara agjendën amerikane për një intervenim në Kosovë.

“Kam kujtime të këndshme kur gjatë 1990-ve punonim ngushtë me ish-senatorin demokratik Joe Biden për të shtyrë përpara një strategji koherente të SHBA-së në Ballkan, për veprim të shpejtë dhe vendimtar për ta ndalur gjakderdhjen në Kosovë dhe përfundimisht, për pavarësinë e Kosovës”, kishte thënë McCain nga foltorja e Kuvendit.

Mirëpo, në të vërtetë, vizita e McCain atë kohë në Kosovë, lidhej me bllokimin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ai kishte thënë se një marrëveshje të gabuar s’do ta pranonte Amerika.
“E ndaj pikëpamjen e Presidentit Thaçi se miratimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që do të sillte liberalizimin e vizave me BE-në, do të paraqiste një hap të fuqishëm përpara drejt të ardhmes evropiane të Kosovës”, ishte shprehur ai.

Por, ndonëse u pajtua në çështjen e Demarkacionit, McCain kishte mospajtim me presidentin Thaçi në një çështje tjetër të madhe. Ai theksonte se Kosova duhet të krijonte ushtrinë, por vetëm me anë të ndryshimeve në Kushtetutë dhe jo siç dëshironte Thaçi, me ligj të veçantë.

Edhe dialogu që Kosova po vazhdon me Serbinë dhe është futur në fazën finale, kishte qenë temë e senatorit dhe ish-kandidatit për president të Amerikës. Ai kërkonte vazhdimin e dialogut, të cilin e konsideronte si rrugën e vetme drejt pajtimit, e rrjedhimisht drejt integrimit të Kosovës.

McCain, që ishte veteran i luftës së Vjetnamit, vdiq para disa orësh në Arizona pas vuajtjes disavjeçare nga tumori. Në vizitën e fundit, deputetët kosovarë e kishin nderuar me disa minuta duartrokitje për angazhimin e pandalur për Kosovën.