Kombëtarja shqiptare e nisi me fitore rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve, teksa mposhti Izraelin në “Elbasan Arena” me rezultatin 1-0.

Taulant Xhaka ishte ai që iu dha fitoren kuqezinjve të drejtuar nga Panucci, me të cilin u duk sikur pati disa probleme në fillimin e bashkëpunimit të tyre.

“Jam i kënaqur për golin e shënuar, është i pari për mua me Kombëtaren. Për sa u përket polemikave, kam raporte të mira me Panuccin, na ka motivuar”, tha Taulant Xhaka.

Një tjetër protagonist në fitoren e Kombëtares shqiptare ndaj izraelitëve ishte edhe portieri Strakosha, i cili bëri disa pritje të jashtëzakonshme, duke e ruajtur të paprekur portën e tij.

“Ishte një fitore me shumë rëndësi. Jam shumë i kënaqur me skuadrën. Zhvilluam një lojë shumë të mirë. Në minutën e 80 filluam të ndienim lodhjen, vrapuam shumë në këtë ndeshje”, tha Strakosha.

Sindrit Guri ishte një tjetër futbollist që spikati në këtë ndeshje, edhe pse nuk shënoi. Për sulmuesin shqiptar, skuadra ka ende punë për të bërë.

“Jemi të kënaqur për këtë fitore. Megjithatë kemi ende punë për të bërë. Është thjesht një fitore, nuk është se fituam trofe. Tani të mendojmë për ndeshjen me Skocinë”, tha Sindrit Guri.

Kombëtarja shqiptare do ta luajë ndeshjen ndaj Skocisë, ditën e hënë në Glasgow.