TROTINETET. Ligji që do të rregulloj qarkullimin

Përdorimi i trotineteve elektronike është sigurisht më i shëndetshëm, por me kusht që rregullimi i lëvizjes së tyre në trafikun rrugor të bëhet sipas normave të parapara ligjore. Shumica e tyre vozisin në trotuare, korsitë për biçikleta, rrugë njëkahëshe, kurse disa ngasin ngadalë e disa më shpejt, me ose pa helmetë. Ata mund të shihen gjithkund. Meqenëse shumica e komunave në Shkup sigurojnë financa për këto mjete lëvizëse, ata çdo ditë e më shumë bëhen pjesëmarrës më të shpeshtë në trafik, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Maqedonia e Veriut ende nuk ka legjislacion që do të përcaktojë se ku duhet të lëvizin këto mjete, me çfarë shpejtësie dhe të tjera. Nga Ministria e Punëve të Brendshme theksuan se trotinetet elektronikë janë mjet i ri i transportit në trafik, dhe kjo imponon që ngjashëm si në vendet tjera një ndryshim i legjislacionit që do ta rregullonte këtë lloj transporti. Anëtarët e grupit punues do të shfrytëzojnë diskutimet dhe tezat të cilat dolën nga tryeza e rrumbullakët e cila ishte organizuar në fund të shtatorit të këtij vitit nga Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Trafikun Rrugor, për të rregulluar edhe këtë problem të trafikut. Prej këtu dolën rekomandime se si të sillen njerëzit të cilët përdorin trotinetet elektronikë, të cilët duhet të kenë vëmendje maksimale ndaj pjesëmarrësve tjerë në trafik, veçanërisht këmbësorëve dhe çiklistëve, duke e përshtatur shpejtësinë e tyre me kushtet e rrugës dhe trafikut, si dhe duke shfrytëzuar hapësira të cilat nuk frekuentohen shumë nga këmbësorët.

Nga MPB rekomanduan përdorimin e dritave të bardha në pjesën e përparme të trotineteve elektronikë dhe dritave të kuqe në pjesën prapme në kushtet e vozitjes gjatë natës. si dhe përdorimin e helmetave mbrojtëse. “Rekomandohet që trotinetet elektronikë të mos përdoren nga fëmijët nën moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Trotinetet elektronikë të mos i ngasin dy ose më shumë persona”, thonë nga MPB. Disa ditë me parë Këshilli i Republikës për Sigurinë në Trafik organizoi tryezë të rrumbullakët në këtë temë, ku u konstatua se trotinetet elektronikë në trafik sjellin shumë përfitime, hapin shumë alternativa për tejkalimin e problemit të bllokimit të trafikut, zhurmës, mungesës së vazhdueshme të parkingut, ndotjes së ajrit, por nga ana tjetër paraqesin edhe rrezik dhe kërcënim të madh për sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Prania e trotineteve elektronik në trafik shtron shumë pyetje se nga kush mund të drejtohet ky automjet, në cilën moshë, çka duhet të këtë një trotinet elektronik, çfarë pajisje duhet të përdorin personat të cilët ngasin trotinetet elektronike, ku duhet të lëvizin, me çfarë shpejtësie duhet të lëvizin si dhe çfarë përgjegjësie bartin ata në rast të ndonjë aksidenti në trafik. Të gjithë këto çështje ende ngelin të hapura sepse zgjidhja e tanishme ligjore nuk i specifikon si duhet si termin “trotinetet elektronikë”.

Ky problem është kompleks, sepse nuk ka zgjidhje të unifikuar dhe të pranuar nga Bashkimi Evropian që do të ishte një shembull konkret apo rekomandim që vendi ynë do të kishte ndjekur. Zgjidhjet për këtë ndryshojnë nga vendi në vend, respektivisht nga ndalimi i pjesëmarrjes me trotinet elektronik në trafik e deri te zbatimi i masave për stimulim, promovim dhe mbështetja për përdorimin e tyre. Maqedonia e Veriut është në fazën e përgatitjes së ligjit dhe pritet që të miratohet sa më shpejt. Ndryshe në zonat e qytetit të Shkupit nga fillimi i vitit ka pasur vetëm një aksident trafiku me trotinet elektronik ku personi kishte lëndime të rënda trupore. (koha.mk)